Prokuroria e Posaçme po verifikon mbi shantazhet që dyshohet t’i jenë bërë ish kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, përmes videos intime të filmuar në zyrën e tij dhe të publikuara ditët e fundit.
Gjici pretendoi në njoftimin e dorëheqjes se video i është bërë për shantazh nga kundërshtarët politikë.
Hetuesit e SPAK, kanë nisur tashmë edhe verifikimet për të zbuluar se kush fshihet pas këtij shantazhi të pretenduar nga ish kryebashkiaku.
Gjici u arrestua të shtunën me vendim të Gjykatës së posaçme që ka caktuar për të në mungesë arrest në burg për korrupsion pasiv.
Ndërsa protagonistes tjetër të videos, Alma Kaci iu komunikua masa e arrestit shtëpiak për akuzën e korrupsionit aktiv në policinë e Shkodrës. Mësohet se ajo u ndalua mbrëmjen e së shtunës në Shkodër teksa ndodhej e vetme në makinë. Sipas burimeve, prej gati një jave, e reja mbahej nën vëzhgim nga agjentë të BKH-së, ndërsa në Shkodër ajo kishte kërkuar edhe banesë me qira. Pas ndalimit, vajza u dërgua në banesën e saj në Durrës.
Fillimisht SPAK nisi hetime ndaj Gjicit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por pas sekuestrimit të plotë të videos doli edhe biseda e tij me vajzën me të cilën pati marrëdhënie intime, ku flitej për një projekt që do të financohej nga bashkia e Kukësit për sterilizimin e qenve të rrugëve.
Lini një Përgjigje