SPAK rrit “fuqinë” hetimore, dhoma të posaçme për marrje në pyetje dhe procedura njohjeje...
Prokuroria e Posaçme duket se po përgatitet për një sesion të fortë goditjesh. Sot u publikua raporti vjetor i punës për vitin 2025 dhe janë dhënë shumë detaje nga veprimtari e organit të akuzës. SPAK duket se do të marrë trajtën e atyre organeve hetimore që shpesh kemi parë në filmat policeskë amerikanë.
Sipas dokumentit, në godinën e re të institucionit janë ndërtuar dhoma të posaçme për marrje në pyetje dhe procedura njohjeje, të pajisura me kamera dhe sistem regjistrimi audio për të monitoruar dhe dokumentuar të gjithë procesin hetimor.
“SPAK në godinën e re ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke parashikuar një infrastrukturë të dedikuar për marrjen në pyetje të personave dhe dëshmitarëve. Janë parashikuar dhoma të veçanta për marrje në pyetje dhe dhoma për procedurat e njohjes. Çdo dhomë marrjeje në pyetje është e pajisur me pika të integruara në dysheme për furnizim me energji elektrike dhe lidhje interneti, si dhe me sistem të instaluar kamerash dhe regjistrimi audio, për të garantuar monitorim dhe dokumentim të plotë të procedurës sipas standardeve me të mira ndërkombëtare”, thekson raporti.
Raporti thekson gjithashtu zhvillimet në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila gjatë vitit 2025 ka hyrë në një fazë të re organizimi dhe drejtimi pas zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit.
Një nga ndryshimet kryesore është miratimi i një strukture të re organizative, ku janë parashikuar 40 pozicione të reja hetuesish, me qëllim rritjen e kapaciteteve hetimore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas raportit, riorganizimi i BKH-së synon gjithashtu krijimin e njësive të specializuara për analizë kriminale dhe operacione hetimore, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e tendencave të krimit dhe në zhvillimin e hetimeve komplekse.
Njësia e analizës kriminale pritet të mbledhë dhe përpunojë informacion mbi rreziqet dhe tendencat e krimit, ndërsa një tjetër strukturë operacionale do të përqendrohet në përdorimin e metodave speciale të hetimit, si vëzhgimi, depërtimi dhe përgjimi.
Sipas SPAK, këto struktura të reja synojnë të rrisin pavarësinë operacionale të BKH-së dhe të reduktojnë varësinë nga institucione të tjera të zbatimit të ligjit, si Policia e Shtetit, në zhvillimin e operacioneve hetimore.
Një zhvillim tjetër, është se SPAK ka blerë pajisje speciale përgjimi. Pajisja me shumë funksione si përgjim, lokalizim dhe njëherësh mbledhjen e shumë të dhënave telefonike është “IMSI Catcher” dhe aktualisht ka hyrë në zyrat e SPAK, kundrejt një kontrate afro 1 milion euro që është nënshkruar me një kompani të huaj. BKH mjafton që përmes kësaj pajisje, të afrohet pranë një institucioni dhe aty të përgjojë çdo celular. Pra duket se SPAK po përgatitet për një sezon të fortë goditjesh. /Pamfleti
Në qofse SPAK do ta bëjë këtë dhe mos të blehet nga politika. Hall jemi me të.