
Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë kërkuar zyrtarisht informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbi masat e marra gjatë shoqërimit të klientit të tyre në një vizitë mjekësore më 17 korrik 2025, duke akuzuar institucionet për trajtim çnjerëzor dhe shkelje të protokolleve shëndetësore.
Sipas tyre, Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e IEVP Durrës që prej 12 shkurtit 2025, është shoqëruar në spital nën masa të jashtëzakonshme sigurie, me rreth 30 efektivë policie dhe hetues të BKH-së, disa prej të cilëve kanë qenë të pranishëm edhe gjatë ekzaminimit mjekësor.
Ata kërkojnë transparencë të plotë mbi procedurat e ndjekura, forcat e angazhuara dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në institucionin shëndetësor, duke paralajmëruar se çdo shkelje e dinjitetit njerëzor do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore të mundshme. Deri tani, Drejtoria e Burgjeve nuk ka dhënë një përgjigje publike mbi këto akuza.
“Kjo vizitë pasi i është refuzuar disa herë, dhe pasi ju miratua është shoqërua me një prani të jashtëzakonshme sigurie prej rreth 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së, disa prej të cilëve ishin të pranishëm edhe brenda sallës së ekzaminimit, masa të papërshtatshme dhe të pajustifikuara për një person si zoti Veliaj dhe në shkelje të çdo protokolli mjekësor”, theksojnë avokatët.
Lini një Përgjigje