TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Korrik 2025, 18:08

Zbardhen ndryshimet në Kodin Penal, procedurat si do të lirohen nga qelia të dënuarit me burg përjetë

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhen ndryshimet në Kodin Penal, procedurat si do të lirohen nga

Ja ndryshimet e reja në Kodin Penal...

Zbardhen ndryshimet në Kodin Penal, i prezantuar sot nga Ministria e Drejtësisë. Një nga risitë e këtij kodi është se të dënuarve me burg përjetë do t’u jepet mundësia që të dalin nga qelia me kusht.

Vetë kreu i Magjistraturës e argumentoi këtë ndryshim se “njerëzit ndryshojnë”. Por si do të jetë procedura e nxjerrjes nga qelia të një personi të dënuar me burg përjetë?

Sipas ligjit të ri, kushti bazë është që i të dënuarit me burgim të përjetshëm ka shlyer jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim deri në ditën e bërjes së kërkesës dhe, vetëm nëse gjatë shlyerjes së dënimit ka dhënë prova se është penduar dhe është larguar nga bota e krimit.

Kërkesa për lirimin para kohe me kusht paraqitet personalisht nga i dënuari. Ajo i drejtohet gjykatës së vendit ku i dënuari po shlyen dënimin. Instituti i Ekzekutimit të Vendimeve Penale ku i dënuari po shlyen dënimin, merr masat për përcjelljen e menjëhershme të kërkesës pranë gjykatës kompetente, duke i njoftuar pa vonesë kopje të saj prokurorit pranë gjykatës së vendit të ekzekutimit dhe shërbimit përkatës të provës. Autoritetet e Institutit të Ekzekutimit të Dënimit shoqërojnë kërkesën me një raport të hollësishëm që përmban të dhënat e detajuara për sa kërkohet nga përmbajtjet e paragrafit të parë të këtij neni dhe nenit 174 të këtij Kodi dhe detyrimet e vëna nga ligji për ekzekutimin e vendimeve penale për subjektet pjesëmarrëse”, thuhet në Kod.

Parashikimet e reja

Neni 181- Mundësia e lirimit me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm

1. Lirimi me kusht i të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të lejohet, pasi ka shlyer jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim deri në ditën e bërjes së kërkesës dhe, vetëm nëse gjatë shlyerjes së dënimit ka dhënë prova pjesëmarrjeje në programin e trajtimit, ka shfaqur një pendim të sigurt në bazë të sjelljes në tërësi, vullnetit të tij për t’u integruar në shoqëri, që rezulton nga interesi për vlerat etike dhe shoqërore, prova të mirësisë dhe solidaritetit, në qëndrimin e mbajtur për viktimën e veprës së kryer prej tij, zëvendësimin e dëmeve që u ka shkaktuar atyre, ndërprerjes së kontakteve me botën e krimit, dhe synimit për të fshirë pasojat e dëmshme të veprës penale, jo thjesht ekonomike, por edhe sociale, psikologjike apo të rendit publik.

2. Kërkesa për lirimin para kohe me kusht paraqitet personalisht nga i dënuari. Ajo i drejtohet gjykatës së vendit ku i dënuari po shlyen dënimin. Instituti i Ekzekutimit të Vendimeve Penale ku i dënuari po shlyen dënimin, merr masat për përcjelljen e menjëhershme të kërkesës pranë gjykatës kompetente, duke i njoftuar pa vonesë kopje të saj prokurorit pranë gjykatës së vendit të ekzekutimit dhe shërbimit përkatës të provës. Autoritetet e Institutit të Ekzekutimit të Dënimit shoqërojnë kërkesën me një raport të hollësishëm që përmban të dhënat e detajuara për sa kërkohet nga përmbajtjet e paragrafit të parë të këtij neni dhe nenit 174 të këtij Kodi dhe detyrimet e vëna nga ligji për ekzekutimin e vendimeve penale për subjektet pjesëmarrëse.

3. Në seancën gjyqësore të lirimit para kohe me kusht, përveç të dënuarit, prokurorit dhe shërbimit të provës, gjykata dëgjon edhe mendimin e viktimës së veprës penale. Gjykata e përbërë nga tre gjyqtarë, nëpërmjet debatit gjyqësor, shqyrton hollësisht nëse janë plotësuar kriteret e lirimit para kohe me kushte të shënuara në këtë nen dhe nenin 174 të këtij Kodi.

4. Në vlerësimin e përgjithshëm të të gjitha rrethanave gjykata duhet të çmojë nëse i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij dhe, mbi këtë vlerësim të japë vendimin e saj. Gjendja e kriminalitetit në vend dhe prirjet në politikën penale të zbatuara nga gjykatat në dhënien e vendimeve për krimet e kryera në përgjithësi, janë elemente që merren parasysh në zbatimin e lirimit para kohe me kusht. Edhe palët e tjera në këtë proces, sipas interesave që përfaqësojnë, vlerësojnë të njëjtat rrethana.

5. Vendimi i gjykatës që urdhëron lirimin para kohe me kusht ekzekutohet menjëherë.

                                                                                                                                                                 

Neni 182- Detyrimet e personit të dënuar me burgim të përjetshëm të liruar me kusht

1. Gjykata, kur pranon kërkesën, urdhëron të dënuarin me burgim të përjetshëm që të mbajë kontakte me shërbimin e provës për një periudhë pesëvjeçare nga dita që vendimi merr formë të prerë dhe të përmbushë disa nga detyrimet e të dënuarit gjatë nënshtrimit në shërbimin e provës të parashikuara nga ky Kod.

2. Kur i dënuari me burgim të përjetshëm nuk mban kontakte me shërbimin e provës ose kur nuk i përmbush detyrimet e përcaktuara sipas dispozitave për detyrimet e të dënuarit gjatë nënshtrimit në shërbimin e provës të parashikuara nga ky Kod, përveçse kur mospërmbushja vjen nga rrethana objektive të pranuara, gjykata vendos revokimin e vendimit dhe vijimin e ekzekutimit të vendimit me burgim të përjetshëm. I dënuari nuk mund ta përsërisë më kërkesën për lirimin e tij para kohe me kusht.

Neni 183- Detyrimet e shërbimit të provës

1. Shërbimi i provës, në lidhje me lirimin para kohe me kusht, ndjek në vazhdimësi ecurinë e zbatimit të vendimit gjyqësor nga i dënuari dhe i paraqet gjykatës raporte periodike lidhur me sjelljen dhe respektimin e detyrimeve prej tij për periudha kohore të konsideruara si të vlefshme prej vetë shërbimit, bazuar në llojin e veprës penale të kryer nga i dënuari dhe detyrimeve të vendosura ndaj tij.

2. Shërbimi i provës evidenton me saktësi kohën e shlyerjes së alternativës së dënimit me burgim duke përpiluar një raport të përbashkët në prani të të dënuarit dhe subjekteve publike apo private pranë të cilave janë shlyer detyrimet e vendosura përgjatë kohës së provës. Raporti depozitohet pranë prokurorit që konstaton mbarimin e shlyerjes së alternativës së lirimit para kohe me kusht.

3. Raportet me shkrim të shërbimit të provës, në rastin kur është i thirrur në gjykim, përpara se sa gjykata të japë vendimin gjyqësor për çështjet që rregullon ky seksion, nuk kanë efekt detyrues për të. Raportet, kur paraqiten edhe kryesisht nga shërbimi i provës, i nënshtrohen rregullave të përgjithshme të trajtimit të provave në gjykimin penal.

4. Çdo shkelje përgjatë kryerjes së detyrave të mbikëqyrjes, trajtimit apo kontrollit të të dënuarit, bërë nga personat përgjegjës të ngarkuar nga vendimi gjyqësor apo një akt që rrjedh prej tij, kanë përgjegjësi penale sipas parashikimeve në pjesën e posaçme të këtij Kodi. /Pamfleti

Lini një Përgjigje