TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Janar 2026, 16:54

Vijon kaosi në aksin Librazhd-Elbasan, makinat ngecin në trafik për të tretën ditë radhazi

Shkruar nga Pamfleti
Vijon kaosi në aksin Librazhd-Elbasan, makinat ngecin në trafik
Pamje nga aksi i bllokuar

Vijon për të tretën ditë radhazi kaosi i trafikut të automjeteve në aksin e rrugës kombëtare Prrenjas–Librazhd–Elbasan–Tuneli i Krrabës–Tiranë.

Situata problematike po përsëritet edhe këtë fundjavë, ndërsa fluksi i lartë i automjeteve në të dy kahet e rrugës e ka bërë thuajse të pamundur normalizimin e trafikut.

Mësohet se pavarësisht pranisë së shtuar të forcave të Policisë Rrugore, disiplinimi i qarkullimit mbetet i vështirë për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe kushteve të amortizuara të infrastrukturës në disa segmente ku janë kryer punime për zgjerimin e saj, pjesë e Koridorit Tetë.

Problematikat rëndohen edhe më tej nga gjendja e rëndë e rrugës në zona të caktuara, veçanërisht te Kthesat e Murrashit dhe Kthesat e Dragostunjës, ku segmentet në zgjerim janë me gropa të shumta dhe të rrezikshme për përdoruesit e rrugës. Këto dëmtime jo vetëm që ngadalësojnë qarkullimin, por përbëjnë edhe rrezik serioz për sigurinë rrugore.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që situata e trafikut të vijojë problematike edhe në orët në vijim.

Lini një Përgjigje