TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia26 Qershor 2023, 10:52

A është shtyrja e gjyqit të Fatmir Mediut, një skenar që të përfitojë nga amnistia e fund vitit?

Shkruar nga Pamfleti
A është shtyrja e gjyqit të Fatmir Mediut, një skenar
Fatmir Mediu

Gjyqi është shtyrë 15 herë dhe sipas procedurës hetimore, do zvarritet mbi 6 muaj të tjerë, me lojën e pyetjes së 290 familjarëve të Gërdecit...                                                                 

Disa herë, “Pamfleti” ka paralajmëruar shtyrjen e seancave të gjyqit kundër ish-ministrit Fatmir Mediu, si i pandehur me dy akuza për shpërdorim detyre, me urdhrat e ngritjes dhe aktivitetin e fabrikës “Berisha- Delijorgji” në Gërdec.

Edhe më 22 qershor, më kërkesën e prokurorëve të SPAK, gjoja për t’u njohur me emrat e familjarëve që do thirren si dëshmitarë për pasojat e Gërdecit, trupa gjyqësore e shtyu përsëri seancën, për në datën 7 korrik.

Por sipas informacionit paraprak që disponojmë, seanca do shtyhet edhe më 7 korrik me një shkak të sajuar, dhe do caktohet në javën e parë të muajit shtator, sepse sipas statusit ligjor, prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e posaçëm, më 15 korrik fillojnë 45 ditët e pushimit vjetor.

Gjyqi kundër Fatmir Mediut për Gërdecin është shtyrë 15 herë, nga të cilat 10 herë vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2023, madje 3 herë pas mbarimit të hetimit dhe vendimit të trupës gjyqësore për të dhënë pretencën.

Arsyet e shtyrjes së të gjitha seancave, janë të sajuara e kanë krijuar bindjen, se kanë qenë lojë e përbashkët mes avokatëve, prokurorëve të SPAK dhe anëtarëve të trupës gjyqësore, për të zvarritur gjykimin në favor të Fatmir Mediut.

Burimet tona të informacionit, na kanë bërë me dije, se me urdhër të krerëve të politikës; SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë pranuar që gjyqin ndaj tij ta zvarrisin pa fund me procedura e shtyrje seancash.

Duke parë zvarritjen e procesit dhe referuar deklaratës së ministrit Ulsi Manja, se në fund të vitit 2023 do bëhet amnisti penale, logjikisht bëhet pyetja: - A është shtyrja e gjyqit, pazar mes SPAK, Gjykatës së Posaçme e krerëve të politikës, që Fatmir Mediu të shpëtojë me amnisti?

Saktësojmë, se SPAK dhe Gjykata e Posaçme, me thirrjen e qëllimshme të 290 dëshmitarëve të Gërdecit, shkelën Kodin e Procedurës Penale, mbasi pas pretencës, hetimi e gjykimi quhen të mbyllur e duhej të jepet vendimi, pasi nuk pranohen prova e dëshmi të tjera./Pamfleti

gjyqi i fatmir mediut amnistia skenari spak

Lini një Përgjigje