Anti-Mafia12 Mars 2023, 17:15

A po e izolojnë amerikanët Edi Ramën? Pas injorimit të Blinken dhe mesazhit të DEA, zyrtarja e DASH shmang takimin me të

Shkruar nga Pamfleti

A po e izolojnë amerikanët Edi Ramën? Pas injorimit të

Në fund të janarit plasi skandali “McGonigal” dhe që nga ajo ditë u dhanë sinjale se raportet e Ramës me amerikanët nuk janë si më parë. Kryeministri është shmangur vazhdimisht këto kohë nga zyrtarët e SHBA....

Kryeministri Edi Rama duket se nuk i ka mirë punët me amerikanët. Që pasi shpërtheu skandali “McGonigal”, amerikanët kanë filluar të distancohen ndjeshëm prej tij. Edhe pse momentalisht ky skandal mund të mos e dëmtojë kryeministrin, amerikanët e mbajnë “vath në vesh” dhe pasi të dalë nga Kryeministria nuk është çudi të ketë fatin e Saliut.

Por çfarë ka ndodhur realisht?

Në fund të janarit plasi skandali “McGonigal” dhe që nga ajo ditë u dhanë sinjale se raportet e Ramës me amerikanët nuk janë si më parë. Më 18 shkurt u mbajt në Gjermani një samit për sigurinë ku ishin liderët botërorë, përfshirë dhe kryeministrin Rama. Ajo që ra në sy është se Vuçiç dhe shumë përfaqësues rajonalë u takuan me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, por Rama jo. Kryeministër pati biseda me nivele më të ulëta. Me asnjë përfaqësues të SHBA nuk u takua dot.

Por edhe pse kaloi pa shumë bujë, goditja e dytë erdhi në fillim të kësaj jave. Zyra e DEA në Tiranë doli me një njoftim, ku ftonte qytetarët që të denonconin pranë saj rastet e trafikut të drogës. Pra, me pak fjalë DEA kërkon të shmangë autoritetet shqiptare. Duke qenë se ajo është agjenci mbështetëse, rregulli e do që të informohet nga autoritetet tona. Por DEA i dha goditje qeverisë, pasi si duket nuk beson shumë te autoritetet dhe kërkoi informacion direkt nga qytetarët.

Ndërkohë këtë fundjavë ka pasur një vizitë në Tiranë nga një zyrtare amerikane, e cila e ka shmangur Ramën. Në Tiranë erdhi Zëvendës Sekretarja për Çështjet Konsullore Rena Bitter. Qëllimi i saj ishin afganët dhe raportet diplomatike mes dy vendeve. Çdo zyrtar i DASH që ka ardhur në Tiranë, i çfarëdo niveli qoftë ai, ka pasur gjithmonë takime me Ramën. Rena Bitter u takua vetëm me Olta Xhaçkën, por jo me kryeministrin.

Ndërkohë nuk duhet harrur se ambasadorja amerikane Yuri Kim pak ditë më parë pati takime me krerët e politikës në vend për 14 majin dhe nga PS ajo takoi Gjiknurin, ndërsa me PL dhe PD pati takime në nivele kryetarësh.

Mund të duket rastësi, por janë 4 ndodhi në pak javë dhe gjatë gjithë kësaj kohe Rama është shmangur nga amerikanët. /Pamfleti

rama shba injorim