
Dalin në dritë të tjera skandale të Endrit Yzeirajt, që u katapultua zv/ministër Financash.
Ai ka pasur një faqe në rrjetet sociale të quajtur “Punë Oligarkësh”, por e ka mbyllur pasi ka marrë detyrën e re.
“Vox News” shkruan se kjo është konfirmuar edhe nga eksperti i teknologjisë Gent Progni, i cili ka bërë një reagim në mënyrë ironike duke thënë se ka vendosur edhe të hapë një faqe instagrami të quajtur “Punë Oligarkësh 2” që të bëhet një ditë zëvendës ministër.
Por nuk ka qenë vetëm reagimi i ekspertit të IT, edhe disa gazetarë të terrenit si: Arsen Rusta, Eni Ferhati dhe Andi Bora kanë shpërthyer ndaj zv/ministrit Yzeiraj.
Madje gazetari Andi Bora i ka kushtuar një reagim në rrjetin social facebook për një incident të ndodhur me zv/ministrin, Endrit Yzeiraj.
Bora shkruan se: “Personi me maskë që shihni në foto, është Endrit Yzeiraj. Prej 3 ditësh mban postin e zv. Ministrit të Financave, ndërsa përpara 3 viteve, mbante “postin e protestuesit” të indinjuar për shembjen e teatrit”.
Ndërkohë kolegët e tij e kanë cilësuar si të pacipë që duhen demaskuar. Ata e quajnë turp të qeverisë emërimin e Endrit Yzeiraj si zv/ministër i ekonomisë dhe financave. Faqja në fjalë në muajt e kaluar u bë shumë aktive duke denoncuar tendera, investitorët strategjikë, afera dhe skandale të ndryshme nga ana e pushtetarëve.
Por befas pak kohë më parë, kjo faqe u mbyll, pasi administratori i saj kishte marrë me sa duket “premtimin” për postin e rëndësishëm.
Kujtojmë se Yzeiraj nuk është treguar mjaft mbështetës ndaj projekteve të kryeministrit, kryesisht në fushën e ekonomisë. Përmendim këtu amnistinë fiskale që ka hapur një debat të gjerë dhe me ndërkombëtarët.
Në një analizë të bërë verën e kaluar, eksperti Yzeiraj parashtroi disa prej problematikave që kishte vënë në projektin e amnistisë fiskale, që sipas tij, mund të sjellë mjaft pasoja në ekonomi. Por duket se me mbylljen e faqes dhe me karrigen e re të zv/ministrit ka ndryshuar mendim për oligarkët, raporton “Vox News”.