
Ngaqë shpenzimet paguhen nga taksat publike, merr sa më shumë njerëz me vete, për t’u dukur “President global”
Siç duket, Presidenti Bajram Begaj ka rënë në bollëk nëpërmjet qokave financiare të Bablokut dhe ka filluar vizitat jashtë Shqipërisë, i shoqëruar me “taborë” vartësish të tij sikur është një sheik arab, dhe jo Presidenti i vendit më të varfër të Europës.
Këtë gjë e bëri gjatë vizitës zyrtare dy ditore në Romë, ku përveç Zonjës së Parë që e lejon Protokolli, kishte marrë me vete 22 punonjës të Presidencës, pa llogaritur 8 roje të Gardës që kishin shkuar 1 ditë para me traget, sikur Bajram Begu të jetë kryetar i ndonjë shteti lider të BE.
Nuk themi, që Presidenti i Republikës, kushdo qoftë nga niveli e profili publik, të shkojë i vetëm në vizita zyrtare ndërkombëtare, por jo me një “tabor” prej 22 zyrtarësh, mbasi sipas njoftimit të presidencës, Bajrami bëri vetëm një takim të thjeshtë kortezie 30 minuta me presidentin Sergio Mattarella e iu dha titulli “Qytetar Nderi” në një komunë.
Është tmerr edhe ta mendosh, që Bajrami ka marrë 22 vartës në delegacion, kur Presidenti i Italisë Sergio Mattarella, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 8 shtator 2022, ishte i shoqëruar nga një staf me 5 persona dhe nga ambasadori italian e 2 nëpunës të saj në Tiranë.
Ose p.sh., Papa Françesku personaliteti më i lartë i Pontifikatit 2000 vjeçar, gjatë vizitës së tij më 21 shtator 2014 në Tiranë, ishte i shoqëruar nga një staf zyrtar prej 6 personash.
Se sa shkon kostoja e 2 ditëve udhëtim e qëndrim të Presidentit e taborit të tij në Romë, kjo del nga llogaritjet financiare, por nuk dihet se për çfarë shërbimi i mori me vete 22 persona, ndërkohë që sipas detyrimit protokollar, iu shtuan dhe 8 zyrtarë të Ambasadës Shqiptare.
Në stafin e presidentit ka 1 drejtor kabineti dhe 10 këshilltarë, prandaj zyra e shtypit, duhet të sqarojë publikisht, se cilët ishin 11 anëtarët e tjerë të delegacionit presidencial në Itali, mbasi zërat thonë, se Drejtori i Kabinetit, Sekretari i Përgjithshëm e 2 këshilltarë, kishin marrë bashkëshortet me vete, si pjesë të delegacionit, që të mbanin me muhabet me Zonjën e Parë.
Ndoshta, ngaqë shpenzimet paguhen nga taksat publike, Bajrami merr sa më shumë njerëz me vete, për t’u dukur “President global”?/Pamfleti