
Drejtësia të veprojë, siç arrestoi ministrin Lefter Koka e deputetin Alqi Bllako për shpërdorim detyre, të cilët me firmat që hodhën nuk vranë njerëz, ndërsa me firmat e Fatmir Mediut u vranë 26 njerëz, u dëmtuan 3000 biznese e banesa dhe iu vodhën shtetit 300 milionë USD...
U shty edhe seanca e datës 24 maj, ku SPAK do jepte pretencën për Fatmir Mediun, ish-ministri i pandehur për dy akuza, për dy akte “Shpërdorim detyre”, një civil si ministër i Mbrojtjes dhe një të kryer me zinxhirin komandues ushtarak.
Përballë provave të shumta, Fatmir Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë që sipas Kodit Penal, nënkupton se ai i pranon akuzat si urdhërues i ngritjes së fabrikës në Gërdec, i përfshirë në aferën e demontimit dhe falsifikimit të municioneve dhe mos veprimin që shkaktoi shpërthimin.
Por megjithëse vetë Fatmir Mediu, ka pranuar përgjegjësinë penale duke kërkuar gjykim të shkurtuar, është absurditet e pse jo pazar, që SPAK dhe Gjykata e Posaçme po e zgjasin dhënien e pretencës dhe vendimin për të.
Dyshimi për pazare favorizuese, të SPAK e Gjykatës së Posaçme me Fatmir Mediun, ta krijon fakti që seancat gjyqësore po shtyhen pa asnjë shkak ligjor, duke aktruar e mashtruar sikur janë shkaqe reale, kur janë thjeshtë zvarritje të qëllimshme.
Hetimi e gjykimi për Gërdecin, ka filluar më 5 maj 2021, ndërsa sot jemi në fund të muajit maj 2023, por nuk ka vendim për të pandehurin Fatmir Mediu, ish-ministrin e tragjedisë së Gërdecit.
Më 8 mars 2023, seanca u shty për shkak se gjoja prokurorët e SPAK nuk kishin bërë gati konkluzionet, ndërsa më 23 mars u sajua shtyrja nga gjykata pa asnjë sqarim.
Më 6 prill seanca u shty se gjoja gjykata do përgatitë për gjykimin e shkurtuar që kërkoi Fatmir Mediu, ndërsa prokurori i SPAK, Arben Kraja, u justifikua se nuk i kishte konkluzionet gati
Më 24 prill, seanca u shty sepse nuk shkuan prokurorët Altin Dumani e Arben Kraja pa dhënë asnjë arsye; ndërsa më 9 maj u shty përsëri për mungesë të 1 avokati e të 1 prokurori të SPAK.
Më 24 maj, seanca u shty përsëri, me mashtrimin se 1 avokat kishte seancë gjyqësore në Durrës, ndërsa avokati tjetër, me justifikimin se ishte me raport mjekësor për 2 ditë regjim shtrati, por në fakt të dy ishin në me Fatmir Mediun.
Kemi informacion të sigurt, se loja do vazhdojë me shtyrjen e seancave edhe më datë 7 e 21 qershor dhe në fillim të korrikut nga avokati i caktuar prej gjykatës, ndërsa më 15 korrik prokurorët e gjyqtarët special do ikin 45 ditë me pushime e kthehen në shtator.
Nëse zvarritjen e shkakton drejtësia, kemi të bëjmë me shpërdorim detyre prej tyre dhe pazar me Fatmir Mediun, ndoshta gjersa të sajojnë ndonjë rrethanë lehtësuese për ta nxjerrë të pafajshëm.
Nëse zvarritjen e sajon Fatmir Mediu me avokatët e tij, atëherë SPAK duhet t’i kërkojë gjykatës çuarjen me forcë në seancë gjyqësore, por edhe vetë gjykata pa kërkesën e SPAK ka të drejtën ta marrë me forcë në seancë pa marrë leje as nga parlamenti.
Referuar faktit, që Fatmir Mediu është i dënuar 3 burg në Itali për fshehje kriminelësh e trafikim të tyre në BE; por edhe sipas veprës penale e pasojave të shkaktuara në Gërdec, ligji përcakton që ky të hetohet e gjykohet nën masë arrest me burg, mbasi krimi ishte flagrant dhe i provuar.
E nëse vazhdon zvarritjet e seancave, drejtësia duhet të veprojë siç arrestoi ministrin Lefter Koka e deputetin Alqi Bllako për “Shpërdorim detyre me korrupsion, të cilët me firmat që hodhën nuk kanë vrarë njerëz, ndërsa me firmat e Fatmir Mediut u vranë 26 njerëz, u dëmtuan 3000 biznese e banesa dhe iu vodhën shtetit 300 milionë USD./Pamfleti