Anti-Mafia24 Maj 2023, 10:51

Prokuroria, hetime për grabitjen e pronave nga Ymer Marku në Bërxullë, tokat kaluan në duart e Arbër Abazit

Shkruar nga Pamfleti

Prokuroria, hetime për grabitjen e pronave nga Ymer Marku në

Pse dosjen duhet ta marrë SPAK, në mes falsifikime, trafik droge dhe pastrim parash?

Prokuroria e Tiranës ka hapur dosjen e tjetërsimit dhe grabitjes së pronave publike dhe private në Komunën Bërxullë, që përfshin një nga zonat më të lakmueshme për biznes dhe zhvillim, mes Tiranës dhe Vorës.

Bëhet fjalë për procedimin penal me numër 5783 të vitit 2020. Dosja është në duart e prokurorit Adriano Dyrmishi, i cili ka kaluar pa asnjë problem Vetingun po në vitin 2020. Edhe pse me ritme të ngadalta, hetimet kanë avancuar javët e fundit, ku në pyetje janë marrë protagonistët e tjetërsimit të pronave mes Tiranës dhe Vorës.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimeve të disa banorëve, pronat e të cilëve kanë përfunduar edhe në duart e oktapodit të tenderëve korruptivë, Arbër Abazi, nipi i Sadri Abazit, i cili në raportet ndërkombëtare përshkruhet si një prej nyjeve të krimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Në krye të grupit kriminal dyshohet se qëndron ish kryetari i Komunës Bërxullë, sot Njësi Administrative e Vorës, Ymer Marku, i cili ka bërë kërdinë gjatë ushtrimit të detyrës, duke kaluar sipërfaqe të mëdha tokash në emrin e njerëzve të tij të afërt.

Gjatë detyrës si kryetar komune, Ymer Marku ka bërë rrethin e tij pronar të pronave publike dhe private, me falsifikime dhe mashtrime, duke ndërtuar më pas hotele, resorte dhe objekte të ndryshme, me leje dhe pa leje, me para me burim korrupsioni dhe trafiku i drogës.

Le të ndalemi tek një rast konkret.

Siç edhe e vërtetojnë këto dokumente, sipërfaqe të mëdha pronash kanë kaluar edhe në emrat e Tahir Cena dhe Fidarie Cena, lindur në Kukës. Që të dy janë figurantë pasi pas tyre fshihet Ymer Marku. Tahir Cena është djali i dajës së Ymer Markut. Ky i fundit u ka grabitur tokat disa banorëve dhe i ka kaluar në emrin e djalit të dajës, Tahir Cena.

Më pas, në vitin 2014, shfaqet Arbër Abazi, përfitues i tenderëve publikë me vlerë dhjetëra milionë euro.

Tahir dhe Fidarie Cena i shesin Arbër Abazit një sipërfaqe prej 10 800 m2 tokë. Kështu prona e grabitur nga Ymer Marku përfundon në duart e Arbër Abazit, i cili po planifikon ndërtime, për të pastruar miliona euro para korrupsioni. Ky është vetëm një nga rastet që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës.

Prona janë grabitur nga QTU-ja deri tek City Park, ku janë bërë edhe ndërtime pa leje. Edhe pse Adriano Dyrmishi njihet si një prokuror korrekt, dosja duhet të kalojë në SPAK për disa arsye dhe fakte.

Së pari, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal në dinamikë.

Së dyti, janë të implikuar personazhe me pushtet dhe ndikim të madh, njerëz të politikës, korrupsionit dhe trafiqeve.

Së treti, duhet aplikuar zbatimi i ligjit anti-mafia, pasi në tokat e grabitura janë ngritur ndërtesa me para të pista, nga personazhe me disa emra, të skeduar për trafik i drogërave  të forta, që janë njerëz shumë të afërt të Ymer Markut, për të cilët do të flasim në vijim.

Prona, resorte dhe hotele janë në emra të disa zonjave që nuk kanë punuar asnjë ditë./Pamfleti

ymer marku tokat në bërxullë

Dokumenta bashkëngjitur