TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Dhjetor 2025, 08:57

Rama mes NATO-s dhe Izraelit: Aleancë me Perëndimin apo biznes me të korruptuarit?

Shkruar nga Pamfleti
Rama mes NATO-s dhe Izraelit: Aleancë me Perëndimin apo biznes me
Edi Rama gjatë një vizite në Izrael

Pse qeveria nuk bën transparencë për marrëveshjen ushtarake me “Elbit Systems”? Fakti që izraelitët kanë kryer afera me NATO, rrit dyshime edhe për kontratat me Shqipërinë...

Edi Rama ndodhet përballë një prove të fortë politike dhe strategjike. Në një kohë kur NATO ka pezulluar kompaninë izraelite Elbit Systems për përfshirje në skandale të rënda korrupsioni, Shqipëria është një nga të vetmet vende që po e thellon bashkëpunimin me këtë kompani.

Me marrëveshjen e para pak javësh, qeveria shqiptare jo vetëm që i ka besuar Elbit furnizimin e artilerisë së rëndë dhe dronëve ushtarakë, por i ka dhënë asaj edhe të drejtën për të ngritur një fabrikë prodhimi në territorin shqiptar, një veprim që ngre pikëpyetje serioze për transparencën, lojalitetin ndaj aleatëve dhe kapacitetin institucional për të refuzuar ofertat me hije korruptive.

Sipas një investigimi të publikuar nga rrjeti ndërkombëtar Follow The Money, Elbit Systems dhe dega e saj Orion Advanced Systems janë pezulluar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA) më 31 korrik, si pasojë e “akuzave serioze për përfshirje në praktika të sanksionueshme”, përfshirë ryshfete për sigurimin e kontratave ushtarake. Pezullimi nuk është thjesht simbolik: Elbit nuk mund të marrë pjesë në asnjë tender të NATO-s dhe një pjesë e kontratave të saj ekzistuese janë bllokuar.

Pikërisht në këtë kontekst, vetëm pak muaj më vonë, Shqipëria zgjedh të lidhë një marrëveshje të madhe me këtë kompani. Marrëveshja, e nënshkruar në shtator dhe e bërë publike në nëntor nga Haaretz, parashikon furnizimin e Shqipërisë me obusë ATMOS 155 mm të montuar në kamionë, mortaja SPEAR 120 mm, si dhe dy lloje dronësh taktikë: Magni-X dhe Thor. Krahas furnizimit, Elbit do të ndërtojë një uzinë ushtarake prej 5,000 m² në veri të vendit, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore shqiptare KAYO, e themeluar në vitin 2024 për zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.

Asnjë detaj për vlerën e kontratës nuk është bërë publik. Nuk ka transparencë për burimin e financimit, afatet kohore, as për kontrollin parlamentar mbi këtë marrëveshje.

Ndërkohë, vetë NATO ndodhet në qendër të një skandali të gjerë që ka çuar në bastisje në Belgjikë dhe SHBA, me disa zyrtarë të saj nën hetim për marrje ryshfeti nga kompani si Elbit. Skandali ka përfshirë NSPA-në në Luksemburg, dhe sipas burimeve të FTM, hetimet amerikane ndaj kompanive të përfshira janë mbyllur në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme në korrik – një zhvillim që ka shtuar dyshimet për ndërhyrje politike dhe pazare të fshehta.

Kumbari i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë izraelite ka qenë biznesmeni kontrovers izraelit me nënshtësi shqiptare Ron Yeffet, i njohur si një mik i afërt i Edi Ramës.

Izraeliti Ron Yeffet ka hyrë masivisht në sektorët më të fuqishëm të ekonomisë shqiptare: energji, transport, resorte turistike, teknologji digjitale, dhe së fundmi edhe në industrinë e armatimeve. Të gjitha këto i ka fituar me vendime të qeverisë dhe me bekimin personal të Edi Ramës.

Në gusht 2025, Yeffet mori monopolin e armatimeve dhe automjeteve ushtarake, përmes kompanisë turke “Timak Defence”, si ortak 80% në shoqërinë shtetërore “KAYO sh.a.”. Për publikun, kjo u paraqit si një marrëveshje ndërkombëtare. Por dokumentet tregojnë se Yeffet është mik personal i kryeministrit dhe sekser i aferave të tij të errëta.

Lidhjet e tij shkojnë edhe më tej: Yeffet rezulton ortak në disa kompani me Sinan Idrizin, i njohur për mashtrime ndërkombëtare, pastrim parash dhe afera të trafikut. Në vitin 2018, të dy bashkë, përmes kompanisë “Mifol Inert sh.p.k.”, shfrytëzuan zhavorrin dhe çakëllin e lumit Vjosë pa leje, për ndërtimin e pistës së aeroportit të Vlorës.

Deri tani ka heshtje nga ana e qeverisë, por padyshim duhen përgjigje. Çfarë do të bëjë Edi Rama? Do vijojë bashkëpunim, apo do të rikthehet te turqit, me të cilët pati përplasje pas marrëveshjes me izraelitët? Po ashtu, ky skandal hedh dritë dhe mbi kontratat që firmosi Ministria e Mbrojtjes, pasi nuk kalojnë në asnjë filtër kompanitë e huaja. Po ashtu pse nuk ka transparencë mbi këtë marrëveshje? /Pamfleti

ron yeffet rama izrael elbit systems

Lini një Përgjigje