
Shefat e ministrisë kanë krijuar bindje se zv.ministri i ri është emëruar avokat i interesave të kupolës qeveritare- oligarkike; ndoshta si skenar për të marrë drejtimin e Ministrisë së Financave, ngaqë Babloku ka mbaruar punë edhe me Delinën e financave dhe nuk i nevojitet më, ose e ka bërë gati për në SPAK
Një sherr në kupolën e Ministrisë së Financa- Ekonomisë, konfirmon paralajmërimin që bëri “Pamfleti”, se kryeministri Edi Rama, nuk e paska emëruar Endrit Yzeirajn në postin zv/ministër për të përmirësuar punët, por si ‘skuth’ për të marrë drejtimin e kësaj ministrie.
Sherri mes ministres Delina Ibrhaimaj dhe zëvendësit të saj Endrit Yzeiraj, ka nisur më 9 mars, 1 ditë pas emërimit; për gjoja shkakun se përse nuk urdhëron t’i publikohet emri në faqen zyrtare.
Pas kësaj, sherri ka vazhduar më i ashpër, kur ministrja Delina Ibrahimaj i ka lënë si kompetencë vetëm monitorimin e buxhetit të ndihmës ekonomike, të pagesave të papunësisë, të vendimeve gjyqësore që fitojnë të larguarit nga ministria, kontrollin e zbatimit të orarit nga administrata dhe mirëmbajtjen e mjediseve, detyra që i kryente edhe parardhësi Besart Kadia.
Mirëpo zv/ministri Yzeiraj, përveç daljes si opinionist në media, nuk ka pranuar asnjë nga këto detyra, dhe i ka dorëzuar ministres Ibrahimaj, një listë me detyrat dhe kompetencat që duhet të ketë në ministri, duke i kujtuar se në këtë post, është emëruar si i preferuar i kryeministrit.
Sipas listës, zv/ministri i ri Endrit Yzeiraj kërkon të ketë në vartësi planifikim-zhvillimin e tenderëve; kontrollin mbi pasuritë e sekuestruara; sektorin e apelimit tatimor; licencat e ekspertëve kontabël; fondet e Ndihmës Kombëtare dhe sektorin e mbikëqyrjes së PPP-ve.
Guximi me të cilën i kërkon këto detyra ku qarkullojnë financat, pasuritë e krimit, licencat dhe kontrolli i tyre, ka krijuar dyshime te ministrja Delina Ibrahimaj dhe bindje te drejtorët e shefat e sektorëve, se zv/ministri Endrit Yzeriaj është katapultuar qëllimisht nga Edi Rama, për të spostuar apo mënjanuar ministren Ibrahimaj.
Sepse së pari, këto “tepsi” që kërkon Yzeiraj janë kompetencë e ministres, të cilat ia delegon vetëm Sekretarit të Përgjithshëm, ose një drejtori tjetër të rëndësishëm.
Së dyti, sipas ligjit për funksionimin e administratës së lartë publike, detyrat e kompetencat i shpërndanë vetëm ministri; dhe nuk ka ndodhur kurrë që një zv/ministër financash të ketë zgjedhur e vendosur vetë se çfarë sektorësh do administrojë.
Por ja që Zv/ministri i ri i Financave, Endrit Yzeiraj, vetëm 1 ditë pas emërimit, ka caktuar vetë se çfarë kompetencash do marrë, duke paralajmëruar se ka lidhje konfidenciale me kryeministrin.
Faktikisht, ai nuk ka asnjë lidhje direkte me kryeministrin Rama, madje e ka quajtur “mafioz të PPP-ve, investitorëve strategjikë, legalizimit të drogës e të amnistisë së zezë fiskale”.
Por Yzeriaj ka lidhje vetëm më oligarkët e familjes kryeministrore, të cilët menaxhojnë edhe vetë kryeministrin.
Pra, është emëruar si avokat i interesave të kupolës qeveritare-oligarkike; ndoshta si skenar për të marrë drejtimin e Ministrisë së Financa-Ekonomisë, ngaqë Babloku ka mbaruar punë edhe me Delinën e financave dhe nuk i nevojitet më, ose e ka bërë gati për në SPAK. /Pamfleti