Anti-Mafia13 Mars 2023, 11:05

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bllokon rezolutën e SPAK, për t’i kërkuar Emirateve ekstradimin e kriminelëve “VIP”

Shkruar nga Pamfleti
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bllokon rezolutën e
Ministri Çuçi dhe homologu i tij, sheikun Saif bin Zayed Al Nahyan në Abu Dhabi

 

Arsyeja e refuzimit të planit që ka paraqitur SPAK për ekstradimet, është e kuptueshme: 42 vrasës, trafikantë e kontrabandistë të arratisur në Dubai dhe zonat e tjerë të Emirateve Arabe, janë të lidhur familjarisht e në interesa me Edi Ramën, Olsi Ramën, Taulant Ballën, Blendi Klosin, Bledi Çuçin, Belinda Ballukun, Ardi Veliun e të tjerë

Burime pranë qeverisë, kanë bërë me dije për “Pamfleti”, një skandal tjetër të strukturave të larta të qeverisë shqiptare në raport me SPAK, që  përveçse cenon rëndë bashkëpunimin në goditjen e krimit, favorizon lirinë e plotë të personave të arratisur e në kërkim.

SPAK i ka paraqitur Ministrisë së Brendshëm e Ministrisë së Drejtësisë, një projekt-rezolutë për t‘ia dërguar Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, për arrestimin dhe ekstradimin e vrasësve, trafikantëve, kontrabandistëve e zyrtarëve të shpallur në kërkim, të cilët janë fshehur atje.

Sipas të dhënave që kanë mbledhur agjentët e SHISH, Interpol, FAST e Byrosë Kombëtare të Hetimit, rezulton se këta persona në “Arrest me burg” ndodhen në Dubai, Abu Dhabi, Ajman, Fujairah, Ras al-Khaimah e Sharjah, ku bëjnë biznes dhe jetojnë me milionat e krimeve.

SPAK kërkon që rezoluta t’i drejtohet Presidentit Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe Këshillit Suprem Federal, që është organi më i lartë legjislativ e ekzekutiv në atë vend, i njëjtë si parlamenti dhe qeveria në Shqipëri.

Por ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka refuzuar të firmosë projekt-kërkesën e SPAK, për t’i kërkuar Federatës së Emirateve, arrestimin dhe lejen për ekstradimin e personave në kërkim, duke nxjerr si motiv, faktin se Shqipëria dhe Emiratet nuk kanë marrëveshje ekstradimi.

Por pikërisht, ngaqë mungon marrëveshja e ekstradimit, SPAK po i kërkon Ministrisë së Brendshme e Ministrisë së Drejtësisë, që presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe Këshilli Suprem Federal i Emirateve të Bashkuara Arabe, të krijojnë një “rrugë ligjore” për arrestimin dhe ekstradimin e personave në kërkim që fshihen atje, shoqëruar me listën emërore.

Mes 178 personave të arratisur në Emiratet e Bashkuara Arabe, 42 janë me dosje të rënda penale në masë “Arrest me burg” e të kërkuar “VIP”, si  Florjan Çapja i Elbasanit, Trifon Murataj i “Bana King”, Amant Josifi i Call-Center etj., etj.

Madje Amant Josifi, prej 1 muaji është futur në “rreth” nga agjentët spanjollë që e kanë shpallur në kërkim bashkë me Policinë shqiptare e SPAK-un, por Ministria e Brendshme nuk dërgon agjentët e “FAST”, për të asistuar në procedurat arrestimit, ngaqë Amant Josifi është ortak i Olsi Ramës në Call-Center.

Para 3 muajsh në parlament, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se Shteti i Emirateve i arreston e liron kriminelët shqiptarë në kërkim, po nuk pranon t’i ekstradojnë, paçka se i janë dërguar shumë kërkesa, të shoqëruara me dosjet e tyre.

Ndërsa ministri Bledar Çuçi, deklaroi se kriminelët kanë gjetur parajsën në Dubai ku janë të paprekshëm, sepse Shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, nuk pranon të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi me Shtetin Shqiptar, për arrestimin dhe ekstradimin  e tyre.

Mirëpo refuzimi nga ministri Çuçi, i projekt-rezolutës që ka paraqitur SPAK, për t’i kërkuar Presidentit e Këshillit Suprem Federal Emirateve të Bashkuara Arabe, ekstradimin personave në kërkim, tregon se nuk po e pengon Shteti i Emirateve, por pushteti i Edi Ramës.

Arsyeja e refuzimit të planit që ka paraqitur SPAK për ekstradimet, është e kuptueshme: 42 vrasës, trafikantë e kontrabandistë të arratisur në Dubai dhe zonat e tjerë të Emirateve Arabe, janë të lidhur familjarisht e në interesa me Edi Ramën, Olsi Ramën, Taulant Ballën, Blendi Klosin, Belinda Ballukun, Ardi Veliun e disa biznesmenë e trafikanë, klientë të qeverisë./Pamfleti

bledi Çuçi rezoluta e spak emiratet e bashkuara ekstradimi