TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia28 Prill 2025, 10:28

Skema e errët që fsheh Donacioni 6 milionë USD i Sali Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Skema e errët që fsheh Donacioni 6 milionë USD i Sali

Partia Demokratike ka shkelur haptazi Kodin Zgjedhor duke mos deklaruar lobimin 6 milionë USD në SHBA, i financuar nga donatorë privatë jashtë vendit. Ndërsa Berisha e fshehu kontratën, KQZ vazhdon heshtjen edhe pse ligji e detyron të reagojë. SPAK ka hapur hetimin, ndërsa mbetet mister origjina e parave për të pastruar figurën e kryetarit të PD-së...

Kontrata 6 milionë USD e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA është një aferë e pastër që implikon drejtpërdrejt kupolën e partisë dhe Sali Berishën, duke zbuluar një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe mungesë totale transparence.

Përveçse e mbajti të fshehur deri në momentin e publikimit nga mediat, kjo kontratë nuk është financuar nga fondet e partisë por nga një donacion privat jashtë vendit, duke shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe rregullat e financimit të partive politike.

Në veçanti, disa nga shkeljet kryesore janë:

1. Donacioni i paligjshëm nga shtetas i huaj: Kodi Zgjedhor (nenet 92/1 dhe 92/2) ndalon financimin nga persona privatë që nuk kanë shtetësi shqiptare, ndërkohë që kontrata u firmos me shtetasin amerikan Nuredin Seci, ish-shtetas shqiptar me rezidencë në SHBA.
2. Shuma shumëfish mbi limitin ligjor: Ligji shqiptar kufizon çdo donacion privat në shumën maksimale prej 1 milionë lekësh të rinj (rreth 10 mijë USD), ndërsa në rastin konkret PD ka pranuar plot 6 milionë USD nga një person i vetëm, duke kapërcyer disa herë limitin ligjor.
3. Mosdeklarim dhe fshehje e transaksionit: Sali Berisha dhe zyrat financiare e juridike të PD-së nuk e deklaruan donacionin te KQZ, nuk publikuan asnjë detaj financiar, duke mos plotësuar formularët zyrtarë të donacioneve, siç e kërkon ligji në mënyrë të qartë.
4. Pagesa e dyshimtë prej 750 mijë USD në dorë: Ditën e firmosjes së kontratës, PD ka paguar 750 mijë USD paradhënie, pa deklaruar mënyrën e pagesës apo origjinën e këtyre fondeve, duke ngritur dyshime serioze për burimin e këtyre parave.
Këto fakte të rënda kanë vënë në lëvizje SPAK-un, i cili tashmë ka nisur hetimin për këtë aferë që mund të fshehë pastrim parash apo financim të dyshimtë nga grupe interesi në SHBA. Megjithatë, KQZ-ja e drejtuar nga Ilirjan Celibashi vijon të heshtë, duke injoruar detyrimet ligjore për të hetuar menjëherë financimet e dyshimta në prag zgjedhjesh.

PD u përpoq ta justifikojë këtë aferë duke deklaruar se kjo shumë marramendëse ishte një "kontribut patriotik" nga diaspora shqiptare në SHBA kundër regjimit të Edi Ramës. Por realisht, e gjithë skema duket si një përpjekje personale e Berishës për të pastruar imazhin dhe për të hequr vulën “Non grata” nga Shtetet e Bashkuara.

Publiku shqiptar kërkon të dijë një përgjigje të qartë: nga vijnë këto miliona dollarë dhe përse PD i fshehu ato?

Tani SPAK ka në dorë zbardhjen e plotë të kësaj historie, ndërsa Sali Berisha duhet të sqarojë urgjentisht para drejtësisë dhe opinionit publik origjinën reale të këtij financimi skandaloz që kërcënon integritetin e opozitës shqiptare./Pamfleti

sali berisha lobimi 6 milionë usd skema e errët

Lini një Përgjigje