TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia25 Mars 2026, 16:33

Territori jashtë kontrollit, IKMT afera me ndërtimet; amnistohen ndërtuesit që shtojnë katet

Shkruar nga Pamfleti
Territori jashtë kontrollit, IKMT afera me ndërtimet; amnistohen
Foto Ilustruese

Ndërsa flitet për aksione kundër ndërtimeve pa leje dhe mbrojtje të territorit, në praktikë rezulton një panoramë e kundërt: mungesë inspektimesh, vendime të pazbatuara, ndëshkime të papërfunduara dhe miliona lekë detyrime të paarkëtuara. Struktura përgjegjëse për kontrollin e territorit shfaqet e dobët në zbatim dhe pa efekt real në terren...

Edhe pse kryeministri Edi Rama ka artikuluar vazhdimisht nevojën për mbrojtjen e territorit dhe ka ndërmarrë një fushatë të gjerë për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) evidenton problematika të thella në funksionimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Sipas raportit, IKMT nuk ka qenë i angazhuar në mënyrë efektive për kryerjen e inspektimeve të nevojshme, edhe në raste kur ka pasur sinjalizime nga institucione të tjera publike për ndërtime të kundërligjshme në zona me rëndësi kombëtare, përfshirë zonat e mbrojtura, bregdetin apo trashëgiminë kulturore. Në shumë raste, institucionit i mungojnë procesverbalet për konstatimin e shkeljeve, duke mos vijuar më pas me vendime për pezullim punimesh, prishje objektesh apo vendosje gjobash.

Raporti evidenton gjithashtu se një numër i konsiderueshëm vendimesh për prishje objektesh të kundërligjshme kanë mbetur të paekzekutuara nga strukturat përkatëse të IKMT-së, pavarësisht se janë nxjerrë aktet administrative. Kjo situatë, sipas auditimit, ka ndikuar në rritjen e ndërtimeve informale, të cilat në disa raste kanë hyrë më pas në proces legalizimi, duke përfituar edhe parcela në prona publike, përfshirë zona me potencial turistik.

Në rastet kur shkeljet janë konstatuar për persona të paidentifikuar, inspektorët nuk kanë kryer rikontrolle për të ndjekur ecurinë e punimeve apo për të identifikuar përgjegjësit. Po ashtu, në disa procedura administrative, IKMT nuk ka ndjekur hapat ligjorë për të kërkuar në gjykatë lëshimin e urdhrave të ekzekutimit, duke sjellë zvarritje dhe ulje të efektivitetit ndëshkues.

KLSH konstaton gjithashtu probleme në formulimin e vendimeve për pezullim punimesh, ku afatet (15, 30 apo 60 ditë) janë vendosur pa arsyetim teknik apo ligjor të dokumentuar, duke cenuar parimin e proporcionalitetit. Në disa raste, pas përfundimit të këtyre afateve nuk janë kryer inspektime të mëvonshme për të verifikuar nëse ndërtimet janë ndalur.

Edhe në administrimin e gjobave janë evidentuar mangësi. Sipas raportit, nuk janë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme procedurat për njoftimin, ekzekutimin dhe arkëtimin e tyre. Për disa subjekte të ndëshkuara, mungon dokumentacioni për inspektimet pasuese, ndërsa për 5 vendime gjobe me vlerë rreth 43.6 milionë lekë nuk është kërkuar brenda afateve ligjore urdhri i ekzekutimit në gjykatë.

Një tjetër gjetje lidhet me mosndjekjen penale të rasteve të ndërtimit pa leje. Nga auditimi i 32 dosjeve që përmbajnë elementë të veprës penale “ndërtim i paligjshëm”, rezulton se IKMT nuk ka kërkuar fillimin e procedimit penal, edhe pse shkeljet konsiderohen të rënda. Në total, gjatë periudhës 2020–2024 janë dhënë 935 vendime për prishje objektesh të kundërligjshme, por jo në të gjitha rastet janë shoqëruar me kallëzim penal. Pra ndërtuesit që kanë shtuar katet janë amnistuar.

Raporti evidenton gjithashtu mungesë dokumentimi në procesin e ekzekutimit të vendimeve. Në 7 raste, vendimet për prishje nuk janë shoqëruar me procesverbale të dokumentuara apo prova fotografike, duke cenuar transparencën dhe gjurmueshmërinë e veprimeve administrative.

Në aspektin financiar, situata paraqitet problematike. Deri në fund të vitit 2024, detyrimet totale arrijnë në mbi 1 miliard lekë, ndërsa vetëm detyrimet e papaguara për këtë vit janë rreth 536.8 milionë lekë, kryesisht nga vendime gjyqësore të formës së prerë për dëmshpërblime pas prishjes së objekteve. Sipas KLSH, këto detyrime kanë rënduar buxhetin e institucionit dhe nuk janë likuiduar sipas metodave standarde financiare.

Gjetjet e auditimit ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e territorit, në një kohë kur aksionet publike kundër ndërtimeve pa leje janë paraqitur si prioritet i qeverisë. /Pamfleti

 

ikmt klsh territori

2 Komente

  1. M
    M

    Rama tha se me dy satelitet do evidentonte ndertimet dhe shtesat pa leje.

    1. V
      Visi

      Te nderuar gazetare! 1. Sa here nderrohet drejtori, dalin hajdutet tagrambledhes per te marre gjoben qe nuk ka shans poshte 1000Euro per cdo kantier. 2. Kontrollet e planizuara jane fiktive dhe ne favor te pageses gjendet menyra ligjore per te justifikuar shkeljet. 3. Hajdutet dhe bibat qe tallin trapin i keni gjithe diten duke pire ne lokalet qe kane zabtuar hapesirar publike perballe IKMT. 4. Investigoni pak se cfare jete bejne keta pasi lene punen dhe do e shikoni nivelin e perfitimit qe kane arritur! 5. Sado te perpiqen, ne kete bote lahen te gjitha, dhe harrami mbetet harram!

      Lini një Përgjigje