
Kryeministri britanik, Rishi Sunak dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen kanë mbajtur një konferencë të përbashkët shtypi pas arritjes së marrëveshjes.
Sunak tha se pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar dhe BE kishin pikëpamje të ndryshme, më në fund u arrit një marrëveshje e cila do të jetë fillimi i një "kapitulli të ri" mes vendeve të Unionit dhe Britanisë.
“Jam i kënaqur të raportoj se tani kemi bërë një përparim vendimtar. Së bashku ne kemi ndryshuar protokollin origjinal dhe sot po shpallim kornizën e re Windsor. Marrëveshja e sotme ofron tregti të qetë brenda të gjithë Mbretërisë së Bashkuar, mbron vendin e Irlandës së Veriut në bashkimin tonë dhe mbron sovranitetin për popullin e Irlandës së Veriut. Ky është fillimi i një kapitulli të ri", tha Sunak.
Ndërkohë Ursula von der Leyen, gjatë fjalës së saj tha se është bërë shumë për të arritur në një marrëveshje përfundimtare mes dy palëve. Edhe ajo e quajti fillim i një kapitulli të rri arritjen e marrëveshjes mes Britanisë dhe BE-së.
"Të dy ishim të sinqertë me njëri-tjetrin për vështirësitë në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe ishte jetike që ta vendosnim atë në bazën e duhur. Ne kemi rënë dakord për masa të forta që do të mbrojnë integritetin e tregut të vetëm të BE-së. Ishim vërtet të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet në Irlandën e Veriut. Ky është një "kapitull i ri" për marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së”, tha Von der Leyen.