Bota27 Shkurt 2023, 15:54

Mbyllet takimi mes presidentes së KE-së dhe Rishi Sunak, arrihet marrëveshja për Protokollin e Irlandës së Veriut

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet takimi mes presidentes së KE-së dhe Rishi Sunak, arrihet
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministrin britanik, Rishi Sunak

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministrin britanik, Rishi Sunak, kanë arritur më në fund një marrëveshje të re Brexit, e cila do të zgjidh një “gamë sfidash komplekse” rreth Protokollit të Irlandës së Veriut.

Bisedimet për këtë marrëveshje janë zgjatur për më shumë se një vit dhe ka pasur shumë ulje ngritje. Pika më kulminante ishte kur BE filloi të padisë MB-në, pas planeve të qeverisë Britanike për heqjen e pjesëve të traktatit të rënë dakord reciprokisht në marrëveshjen Brexit.

Nga situata e krijuar dukej sikur të dy palët mund të shkonin drejt një "lufte tregtare" nëse njëra nuk bënte lëshime. Por më në fund Rishi Sunak e ndaloi legjislacionin dhe Brukseli në mënyrë efektive ndaloi gjithashtu veprimin e tij ligjor.

Më në fund pavarësisht gjithë këtyre pengesave, marrëveshja u arrit mes palëve dhe sot pasdite pritet që Sunak të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me shefen e BE-së Ursula von der Leyen për marrëveshjen e arritur mbi protokollin e Irlandës së Veriut.

Çfarë është Protokolli i Irlandës së Veriut?

Protokolli i Irlandës së Veriut është një marrëveshje tregtare, e negociuar gjatë bisedimeve të Brexit. Ai lejon që mallrat të transportohen përtej kufirit tokësor irlandez pa pasur nevojë për kontrolle.

Para Brexit, ishte e lehtë të transportoheshin mallra përtej këtij kufiri, sepse të dyja palët ndiqnin të njëjtat rregulla të BE-së. Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar, nevojiteshin marrëveshje të veçanta tregtare, sepse Irlanda e Veriut ka një kufi tokësor me Republikën e Irlandës, e cila është pjesë e BE-së.

BE-ja ka rregulla strikte ushqimore dhe kërkon kontrolle kufitare kur disa mallra, si qumështi dhe vezët, mbërrijnë nga vende jo anëtare të BE-së.

Kufiri tokësor është një çështje e ndjeshme për shkak të historisë së trazuar politike të Irlandës së Veriut.  Mbretëria e Bashkuar dhe BE ranë dakord se mbrojtja e marrëveshjes me Irlandën e Veriut, ishte një prioritet absolut.

Pra, të dyja palët nënshkruan Protokollin e Irlandës së Veriut si pjesë e marrëveshjes së tërheqjes së Brexit. Në negociatat e tërheqjes, çështja e kufirit irlandez ishte një nga tre fushat që kërkonte një rrymë të dedikuar negociatash në mënyrë që të arrihet marrëveshja e tërheqjes që kërkohet përpara se të bihet dakord për marrëdhëniet e ardhshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së pas daljes së Britanisë nga unioni evropian.

Qeveritë irlandeze dhe të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesit e BE-së, kanë deklaruar se nuk dëshirojnë një kufi të vështirë në Irlandë, duke marrë parasysh “ndjeshmëritë” historike dhe sociale që përshkojnë ishullin.

Pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian më 31 janar 2020, ky kufi është gjithashtu kufiri midis BE-së dhe një vendi të jashtëm. Protokolli i Irlandës së Veriut i marrëveshjes së tërheqjes së Brexit angazhon Mbretërinë e Bashkuar dhe BE për të mbajtur një kufi të hapur në Irlandë, në mënyrë që (në shumë aspekte) kufiri de fakto të jetë kufiri i detit irlandez midis dy ishujve.

marrëveshja be britani