
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka falënderuar bashkëshorten e tij, Melania Trump, për “angazhimin e saj ndaj çështjes së fëmijëve”, gjatë një bisede telefonike që zhvilluan së fundmi.
Në gusht, zonja e parë kishte ngritur çështjen e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer në një letër drejtuar presidentit rus, të cilën vetë Donald Trump e dorëzoi personalisht gjatë takimit të tij me Putinin në Alaskë.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës, mijëra fëmijë janë larguar me forcë nga vendi i tyre drejt Rusisë. Sipas një raporti të publikuar nga Laboratori i Kërkimeve Humanitare në Universitetin Yale, në qershor 2025, mbi 35,000 fëmijë janë transferuar në më shumë se 100 vendndodhje në Rusi dhe në territoret e pushtuara.
Në vitin 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti ndaj Putinit, duke e akuzuar për përgjegjësi direkte në krime lufte, përfshirë rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve ukrainas.
Duke folur javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump konfirmoi se ka marrë përgjigje nga Putini dhe se mes tyre është krijuar një “kanal i hapur komunikimi” lidhur me mirëqenien e fëmijëve të përfshirë në konflikt.
“Jemi dakorduar të bashkëpunojmë për të mirën e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë luftë,” tha ajo.
Lini një Përgjigje