
Zbulime të reja nga dosjet e Jeffrey Epstein kanë rikthyer në qendër të vëmendjes princin Andrew dhe marrëdhëniet e tij me financierin e dënuar për pedofili. Email-e të publikuara së fundmi tregojnë se Andrew ka pritur Epstein dhe disa gra në Pallatin Buckingham në shtator të vitit 2010, në një periudhë kur mbretëresha Elizabeth ndodhej në Balmoral.
Sipas Mail on Sunday, në mesin e të ftuarave ishte një modele rreth 20 vjeçe nga Bukureshti dhe një grua tjetër nga Rusia. Epstein e përshkruante të renë rumune si “shumë të hijshme” dhe “perfekte”, duke shtuar se edhe Andrew e kishte konsideruar “të bukur”. Në një email pas darkës, Epstein shkruante: “Shumë argëtuese”, ndërsa Andrew i ishte përgjigjur: “Po, të lutem!”.
Dokumentet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë tregojnë se Andrew kishte garantuar “privatësi të plotë” për darkën, e zhvilluar pak më shumë se një vit pas lirimit të Epstein nga burgu. Gruaja rumune u shtua në listën e të ftuarve në momentin e fundit, pas një kërkese direkte të Epstein, të cilës Andrew iu përgjigj: “Asnjë problem”.
Ende nuk ka prova nëse ajo ka qenë viktimë abuzimi, por zbulimet kanë rindezur presionin ndaj Policisë Metropolitane për rihapjen e një hetimi penal ndaj princit Andrew. Autori Andrew Lownie deklaroi se ekzistojnë “arsye të forta” për rishqyrtim, duke theksuar se Pallati Buckingham disponon lista vizitorësh dhe duhet të bashkëpunojë me autoritetet.
Këto zhvillime janë pjesë e zinxhirit të pasojave politike dhe institucionale të dosjeve Epstein, të cilat kanë përfshirë edhe figura të tjera të establishmentit britanik.
Lini një Përgjigje