TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Tetor 2025, 18:21

Greva për Gazën ndez Italinë/ Rinia në revoltë kundër luftës, qeveria e Melonit në panik!

Shkruar nga Pamfleti

Greva për Gazën ndez Italinë/ Rinia në revoltë

Meloni përballet me sheshet: Studentët, sindikatat dhe aktivistët sfidojnë pushtetin

Pas trazirave të mbrëmshme në mbarë Italinë, dita e sotme ka nisur me një valë të re protestash pas bllokimit të Flotilës.

Gjimnazet dhe shkollat e mesme në të gjithë vendin janë në mobilizim: shumë janë zënë nga nxënësit, ndërsa në të tjera, studentët kanë refuzuar të futen në klasa dhe kanë dalë në rrugët e qyteteve për të protestuar. “Këtë mëngjes, pas marshimit që dje bllokoi stacionin Cadorna në Milano, kemi zënë Universitetin Shtetëror të Milanos”, deklaroi grupi komunist “Cambiare Rotta”.

Sot, përballë ashpërsisë së ngjarjeve dhe zemërimit të përhapur mes studentëve, vendosëm të ndjekim thirrjen e Fakultetit të Letërsisë në Sapienza, i cili është zënë, për të dhënë një sinjal të fortë kundër çdo bashkëpunimi me gjenocidin dhe sionizmin. 22 shtatori na tregoi se studentët dhe punëtorët, të bashkuar, mund të ndalin luftën dhe gjenocidin. Çdo universitet do të jetë një barrikadë”, thuhet në deklaratë. Parulla e vetme: të bllokohet gjithçka. Studentë nga shkollat e mesme dhe universitetet janë mbledhur në sheshet kryesore të qyteteve, ku priten të nisin edhe marshimet.

Greva për Gazën ndez Italinë/ Rinia në revoltë

Në Bolonjë, disa kolektive universitare kanë bllokuar Rektoratin e Universitetit. Ka pasur përplasje para stacionit qendror, ku forcat e rendit u përpoqën të ndalojnë hyrjen e studentëve që tentonin ta bllokonin. Janë raportuar disa ndërhyrje të dhunshme nga policia. Në Pisa është bllokuar Fakulteti i Letërsisë. Në Firence, studentët kanë hyrë në ambientet e Fakultetit të Studimeve Humanistike. Rreth 70 protestues që kishin nisur me biçikleta nga “Palazzo Nuovo” në Torino, arritën deri në periferi të Aeroportit Sandro Pertini në Caselle, ku prenë rrjetat dhe hynë në perimetrin e pistës, por u zmbrapsën nga policia. Situata është në zhvillim të vazhdueshëm.

Greva për Gazën ndez Italinë/ Rinia në revoltë

Ndërkohë, ministri Matteo Salvini ndërhyri sërish në mëngjes, duke folur për radion Rtl 102.5 lidhur me grevën e përgjithshme të shpallur për nesër nga sindikatat CGIL dhe USB. “E drejta për grevë është e shenjtë në një vend të lirë si Italia, por nuk është e drejtë të shkaktosh kaos apo të organizosh greva të papritura. Greva pa paralajmërim, për motive politike, nuk mund të organizohet kështu”, u shpreh ai. Salvini shtoi se qeveria do të ndërmarrë çdo veprim që lejon ligji për të garantuar të drejtën për punë, studim dhe lëvizje për 60 milionë italianë.

Greva për Gazën ndez Italinë/ Rinia në revoltë

Komisioni i Garancisë për Grevat, i mbledhur sot, e shpalli të paligjshme grevën e përgjithshme të nesërme, më 3 tetor, për shkak të shkeljes së detyrimit ligjor për paralajmërim të parashikuar nga Ligji 146/90. Në deklaratën zyrtare thuhet se thirrja për grevë pa njoftim paraprak nuk justifikohet as nga neni 2, pika 7, që lejon greva të menjëhershme vetëm në mbrojtje të rendit kushtetues apo në raste rreziku të rëndë për sigurinë e punëtorëve. Autoriteti ka paralajmëruar sindikatat se moszbatimi i këtij vendimi do të sjellë hapjen e një procedure disiplinore.

Përplasja mes Melonit dhe Landinit u intensifikua. “Nga Flotilla nuk ka ardhur asnjë përfitim për palestinezët”, deklaroi kryeministrja Giorgia Meloni nga Kopenhaga, duke shtuar: “Prisja që sindikatat, për një çështje kaq të rëndësishme si Gaza, të mos bënin grevë të premten. Fundjava e gjatë nuk shkon me revolucionin”. Landini, sekretari i përgjithshëm i CGIL, reagoi nga “La7”: “Presidentja e Këshillit duhet të respektojë ata që paguajnë taksa dhe punojnë. Të thuash se greva bëhet për të zgjatur fundjavën është fyes”. Ai shtoi se “vlerat e demokracisë dhe të drejtës për paqe janë në rrezik. Një person që bën grevë heq dorë nga paga, dhe kjo tregon sa e rëndësishme është arsyeja. Në vitin 1943 ishin punëtorët që me grevë ndalën luftën, sot bëjnë të njëjtën gjë për të mbrojtur jetën dhe njerëzimin”.

Greva për Gazën ndez Italinë/ Rinia në revoltë

Landini përfundoi me një akuzë të drejtpërdrejtë: “Nuk mendoja se një kryeministre do të binte kaq poshtë. Greva është një akt ndërgjegjeje, dhe kur sheshet mbushen me njerëz të zakonshëm që reagojnë ndaj një gjenocidi, atëherë lind një ndjenjë e fortë njerëzore dhe solidariteti”.

Ndërkohë, Salvini po përgatit të paraqesë një informim zyrtar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të mbrëmjes së sotme, ku do të propozojë ndryshime në ligjin për grevat, përfshirë edhe ashpërsimin e gjobave për organizimin e tyre pa respektuar rregullat (aktualisht nga 2.500 deri në 50 mijë euro). Në këtë fazë të ndjeshme, Salvini i bën thirrje sindikatave dhe punëtorëve për përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit.

Ndërkohë, CGIL e Lombardisë e ka cilësuar grevën e 3 tetorit si një manifestim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të lirisë, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Në gjithë rajonin janë mbajtur 15 manifestime, me atë kryesore në Milano, nga Porta Venezia deri në Politecnico, në sheshin “Leonardo da Vinçi”. /Përshtatur nga “Il Giornale”

Lini një Përgjigje