
Mijëra familje palestineze po përpiqen të largohen me çdo kusht nga qyteti i Gazës, pasi ushtria izraelite nisi të martën (16 shtator) një ofensivë të gjerë tokësore me synim marrjen e plotë të qytetit.
Lina al-Maghrebi, një nënë 32-vjeçare me tre fëmijë nga lagjja Sheikh Radëan, tregoi për BBC se refuzoi për ditë të tëra të linte shtëpinë, derisa një oficer izraelit i telefonoi dhe i dha urdhër ta braktiste menjëherë. “U detyrova të shes bizhuteritë e mia për të paguar transportin dhe një tendë,” tha ajo. “Na u deshën 10 orë për të mbërritur në Khan Younis, dhe paguam 3.500 shekel (rreth 888 euro). Radha e makinave dhe kamionëve dukej e pafund.” Khan Younis ndodhet vetëm 23 kilometra larg qytetit të Gazës, por rruga ishte e mbushur me dhjetëra mijëra njerëz që iknin nga lufta.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti ndërhyrjen një “operacion të fuqishëm”, duke e përshkruar qytetin e Gazës si “fortesën e fundit të Hamasit”. Ushtria izraelite ka caktuar rrugën bregdetare al-Rashid si korridorin e vetëm të lejueshëm për evakuimin e civilëve. Por dëshmitarët raportojnë bllokime masive, kolonat e automjeteve të mbetura në vend dhe familje të tëra të ekspozuara në rrugë, ndërsa mbi kokat e tyre vazhdojnë bombardimet ajrore.
Situata humanitare në enklavë përkeqësohet çdo orë, me civilët të kapur mes urdhrave të evakuimit dhe zjarrit të pandalshëm të ushtrisë izraelite.
BREAKING:
— Visegrád 24 (@visegrad24) September 16, 2025
Israel releases footage of its tanks and armored vehicles rolling into Gaza City pic.twitter.com/rAqGnoSxIE
Nivin Imad al-Din, një nënë 35-vjeçare me pesë fëmijë, tha se iku në jug pasi avionët luftarakë izraelitë hodhën fletëpalosje evakuimi në lagjen e saj, megjithëse burri i saj refuzoi të largohej nga shtëpia e tyre.
“Nuk mund t’i merrja mobiljet me vete sepse nuk mund të përballoja koston e një kamioni të madh. Të lija gjithçka pas ishte vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë”, tha ajo.
Kostoja e zhvendosjes është bërë shumë më e madhe se mundësitë e shumicës së familjeve. Banorët thanë se marrja me qira e një kamioni të vogël tani kushton rreth 3,000 shekel (761 euro), ndërsa një tendë për pesë persona shitet për rreth 4,000 shekel (1,015 euro). Me shumicën e familjeve të privuara nga të ardhurat e tyre që nga fillimi i luftës, disa janë të detyruar të ecin kilometra ose të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pavarësisht rreziqeve, sipas BBC-së.
Lini një Përgjigje