Irani pritet të zgjedhë shumë shpejt liderin e ri suprem, ndërsa autoritetet theksojnë se procesi po zhvillohet në përputhje me parashikimet kushtetuese të Republikës Islamike.
Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, deklaroi në një intervistë për mediat ndërkombëtare se institucionet shtetërore po funksionojnë normalisht dhe se vendi ka mekanizma të qartë ligjorë për të garantuar vazhdimësinë e udhëheqjes.
“Mund ta shihni zgjedhjen e një udhëheqësi suprem brenda një ose dy ditësh”, u shpreh Araghchi, duke lënë të kuptohet se procesi për përzgjedhjen e pasardhësit është në fazë të avancuar.
Sipas autoriteteve iraniane, është ngritur një këshill udhëheqës i përkohshëm që do të ushtrojë kompetencat e liderit suprem deri në emërimin zyrtar të pasardhësit nga organet përkatëse kushtetuese.
Deklaratat e Araghchit vijnë në një moment tensioni të lartë politik dhe ushtarak, ndërsa vëmendja është përqendruar te mënyra se si do të realizohet tranzicioni i pushtetit në një nga postet më të rëndësishme të sistemit politik iranian.
Procesi i përzgjedhjes së liderit suprem, sipas Kushtetutës së Iranit, kryhet nga institucionet kompetente, të cilat pritet të marrin një vendim në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje