TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2026, 12:42

Lufta kundër regjimit, Komanda e SHBA-së publikon pamjet si po sulmohen aeroplanët ushtarakë të Iranit (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Lufta kundër regjimit, Komanda e SHBA-së publikon pamjet si po
Ushtria amerikane publikon pamjet nga sulmet ndaj aeroplanëve ushtarakë të Iranit

Videoja e publikuar së fundmi nga Komanda Qendrore e SHBA-së tregon sulmet amerikane ndaj tre aeroplanëve ushtarakë iranianë në një aeroport në Kerman, Iranin juglindor.

Në pamjet filmike, çdo aeroplan goditet të paktën një herë përpara se videoja të zvogëlohet për të treguar të tre duke u djegur.

Në një postim në X, CENTCOM shkruan: “Regjimi iranian po humbet kapacitetin ajror dita-ditës. Forcat amerikane nuk po mbrohen vetëm kundër kërcënimeve iraniane, por po i çmontojnë ato në mënyrë metodike”.

Ndërkohë vetëm gjashtë ditët e para të luftës kundër Iranit, SHBA-së i ka kushtuar më shumë se 11,3 miliardë dollarë. Këtë deklaruan zyrtarët e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes teksa kanë informuar senatorët në një takim me dyer të mbyllura, raporton “NBC News”.

Senatori amerikan, Chris Coons deklaroi për gazetarët se kostoja reale mund të jetë edhe më e lartë, pasi shifra aktuale nuk përfshin të gjitha shpenzimet e luftës.

“Pres që shifra reale e operacioneve të jetë dukshëm mbi këtë nivel. Vetëm zëvendësimi i municioneve të përdorura tashmë kalon mbi 10 miliardë dollarë”, tha ai.

Një zëdhënës i Pentagonit refuzoi të komentonte mbi diskutimet me dyer të mbyllura, duke theksuar se kostoja e plotë e operacionit ushtarak “Epic Fury” do të bëhej e ditur vetëm pasi misioni të përfundonte.

Raporti për këtë informim u publikua fillimisht nga The New York Times.

Ky vlerësim financiar vjen në një moment kur administrata e presidentit Donald Trump po përgatit një kërkesë të re financimi nga Kongresi për të mbuluar shpenzimet në rritje të konfliktit.

Ndërkohë lufta, që tashmë ka hyrë në ditën e 11-të, ka shkaktuar qindra viktima në Lindjen e Mesme. Sipas “Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane”, mbi 1 200 persona janë vrarë në Iran nga sulmet izraelite dhe amerikane.

Autoritetet raportojnë gjithashtu 13 viktima në Izrael, gjashtë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 570 në Liban, sipas zyrës së kryeministrit libanez.

lufta kundër regjimit

Lini një Përgjigje