Rritja e fortë e çmimit të gazit që po përjeton Evropa për shkak të luftës në Iran mund të përshpejtojë largimin e rajonit nga energjia ruse, ndërsa kontinenti po orienton gjithnjë e më shumë furnizimet drejt Shteteve të Bashkuara, vëren agjencia Reuters.
Sulmi iranian që e detyroi kompaninë QatarEnergy, eksportuesin e dytë më të madh në botë të gazit natyror të lëngshëm (LNG), të ndalonte prodhimin javën e kaluar, bëri që çmimet e gazit në Evropë të rriteshin me gati 50%. Zhvillimi tregoi se sa e ekspozuar mbetet Evropa ndaj goditjeve gjeopolitike përtej kufijve të saj dhe theksoi nevojën për ta vendosur sigurinë energjetike në krye të prioriteteve.
Në vitin 2025, Katari furnizoi rreth 4% të importeve të gazit të Bashkimit Evropian. Meqenëse ky vëllim nuk është më i disponueshëm, gjithnjë e më shumë gaz nga Shtetet e Bashkuara pritet të ndikojë në formimin e çmimeve në treg. SHBA aktualisht është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm.
Kjo mund të forcojë përpjekjet e Uashingtonit për të ushtruar presion mbi Evropën që të përshpejtojë shkëputjen e plotë nga gazi rus. Udhëheqësit perëndimorë e kanë ndjekur këtë objektiv përmes sanksioneve, katër vjet pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Edhe nëse gjatë luftës ka pasur lehtësime të përkohshme të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse, kjo nuk pritet të ndryshojë drejtimin e përgjithshëm drejt përdorimit më të madh të LNG-së. Gjithashtu, kërcënimi i presidentit rus Vladimir Putin javën e kaluar për të ndërprerë eksportet e mbetura të gazit natyror rus drejt Evropës mund të shtojë presionin për të ulur këtë varësi.
Aktualisht, gazi rus përbën ende rreth 10% të importeve të Bashkimit Evropian. BE ka miratuar një ligj që synon t’i japë fund të gjitha importeve të gazit rus deri në shtator të vitit 2027. Megjithatë, paqartësitë dhe boshllëqet ligjore mund ta zgjasin varësinë nga ky furnizim edhe përtej vitit 2028.
Ndikimi i vazhdueshëm i Rusisë në Evropën Lindore
Ndërsa Shtetet e Bashkuara furnizojnë tani pjesën më të madhe të LNG-së që përdor Evropa, kompania ruse Gazprom mbetet furnizuesi kryesor i gazit natyror për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Këto rajone janë gjithashtu destinacioni i pothuajse gjithë gazit rus që transportohet me tubacione drejt Evropës. Një pjesë tjetër hyn përmes tubacionit TurkStream, që lidh Rusinë me Turqinë.
Ndryshe nga Evropa Veriore, e cila në vitet e fundit ka diversifikuar me shpejtësi burimet energjetike përmes terminaleve të reja të LNG-së dhe lidhjeve të reja të tubacioneve, vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore mbeten strukturalisht më të ekspozuara. Kapacitetet e kufizuara të magazinimit, tarifat e ndryshme të transmetimit dhe integrimi i dobët i tregjeve brenda BE-së e kanë bërë gazin rus të transportuar me tubacione ende ekonomikisht më tërheqës.
Për këtë arsye, në Konferencën Transatlantike për Sigurinë e Furnizimit me Gaz, e mbajtur në Uashington në fund të shkurtit – disa ditë para shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme – mesazhi i zyrtarëve amerikanë ishte i qartë: të përshpejtohet furnizimi me LNG amerikan drejt tregjeve më të ndjeshme të Evropës.
Rëndësia e Korridorit vertikal të gazit
Për ta realizuar këtë synim, zyrtarët amerikanë dhe ministrat evropianë të energjisë po fokusohen te një projekt i ri strategjik: Korridori Vertikal i Gazit, i cili synon të lidhë terminalet e LNG-së në Greqi me Bullgarinë, Rumaninë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Ky korridor mund të ndryshojë në mënyrë thelbësore drejtimin e tregtisë së gazit në Evropën Qendrore dhe Jugore, duke e orientuar atë drejt zinxhirëve të furnizimit transatlantik. Projekti pritet të sigurojë importe afatgjata të LNG-së dhe ta kthejë Ballkanin në një zonë të re strategjike të tregut për eksportuesit e gazit.
Lini një Përgjigje