Bota 8 Dhjetor 2023, 17:36

Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar, BDI propozon Talat Xhaferin

Shkruar nga Pamfleti

Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar, BDI propozon Talat Xhaferin

Maqedonia e Veriut për herë të parë do të ketë një kryeministër shqiptar. Vendi po përgatitet për zgjedhjet e pranverës dhe sistemi maqedonas parashikon krijimin e një qeverie teknike para votimeve. Në krye të kësaj qeverie teknike pritet që të jetë një emër shqiptar.

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e sotme ka vendosur që për kryeministër teknik të propozojë kryeparlamentarin aktual Talat Xhaferi.

“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjet që do mbahen në pranverë”, deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Lidhur me koalicionet parazgjedhore të mundshme, sipas Osmanit organet e partisë kanë autorizuar Ahmetin që të vazhdojë negociatat dhe t’i propozojë partisë përcaktimin me të cilin do të shkohet në zgjedhje.

“Ne i analizuam të gjitha opsione dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdoj bisedimet dhe t’i propozoj partisë një vendim i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Në kuadër të kryesisë qendrore të BDI-së është diskutuar edhe për zgjedhjet e brendshme partiake që duhet të pasojnë. Pikë diskutimi në këtë kuadër kanë qenë edhe zgjedhjet presidenciale.

maqedonia e veriut zgjedhjet