
Orbán ndodhet në disavantazh në vend, rreth 8 pikë përqindjeje pas Péter Magyar në sondazhet para zgjedhjeve të 12 prillit...
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka vendosur se një përballje me Brukselin është pikërisht ajo që i nevojitet fushatës së tij elektorale, e cila po humb terren.
Orbán ndodhet në disavantazh në vend, rreth 8 pikë përqindjeje pas Péter Magyar në sondazhet para zgjedhjeve të 12 prillit. Për këtë arsye ai ka kaluar në sulm ndaj dy objektivave të tij të zakonshëm jashtë vendit: Brukselit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Në këtë mënyrë ai përpiqet të vendosë në vështirësi Magyar, 44 vjeç, deputet i Parlamentit Evropian, i cili sipas sondazheve është në rrugë për ta mposhtur.
Magyar e ka ndërtuar epërsinë në sondazhe duke u fokusuar te korrupsioni, keq menaxhimi dhe klientelizmi që, sipas tij, kanë karakterizuar 15 vitet e qeverisjes së Orbánit. Ai nuk dëshiron që gara elektorale të kthehet në një përballje ku do të paraqitet si kandidati pro-BE apo pro-Ukrainë.
Megjithatë, pikërisht në këtë drejtim po e shtyn tani fushatën Orbán. Në arenën ndërkombëtare, qeveria e tij ka ndërmarrë hapin konfrontues të bllokimit të paketës financiare prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e miratuar në një mbledhje të Këshillit Evropian në dhjetor, duke akuzuar Kievin se po zvarrit riparimet e tubacionit Druzhba, që furnizon Hungarinë me naftë.
Koha e këtij veprimi lidhet me vështirësitë e tij në garën zgjedhore. Pasi nxiti përplasje me Brukselin për çështjen e Ukrainës, ai e rriti më tej tonin këtë javë duke akuzuar partinë Tisza të Magyarit për tradhti dhe për mbështetje të BE-së dhe Zelensky-t në këtë përballje.
Orbán në sulm
Vetë Orbán po e udhëheq ofensivën. Ai e paraqet përplasjen me Brukselin dhe Kievin si të njëjtë me betejën e tij kundër partisë Tisza, të cilën e akuzon se ka qëndruar në heshtje të turpshme për problemet me furnizimin me naftë nga Ukraina.
“Në përputhje me Brukselin dhe Kievin, në vend të një qeverie kombëtare, Tisza duan të sjellin në pushtet një qeveri pro-ukrainase në Hungari. Kjo është arsyeja pse ata nuk mbrojnë interesat e popullit hungarez dhe të Hungarisë”, argumentoi Orbán në një postim në Facebook të hënën.
Më pas ai publikoi një tjetër postim ku tha se Tisza do ta dëmtonte sektorin energjetik të vendit dhe këmbënguli se partia e tij Fidesz është “zgjedhja e sigurt në prill”.
“Qëllimi i opozitës është kaosi, mungesat e karburantit dhe rritja e çmimeve të benzinës para zgjedhjeve. Për këtë arsye ata kanë mbajtur anën e Zelensky-t, kundër popullit hungarez”, tha Orbán.
Magyar iu përgjigj akuzave duke shmangur mbrojtjen e drejtpërdrejtë të BE-së apo Zelensky-t. Ai deklaroi se keqmenaxhimi ekonomik i kryeministrit po nxit çmimet e larta dhe theksoi se karburanti është më i lirë në Poloni, Çeki dhe Bullgari.
“Orbán nuk qeveris në mënyrë efektive dhe nuk tregon interes për situatën që përkeqësohet vazhdimisht për qytetarët dhe bizneset hungareze. Në vend të kësaj, ai zgjedh të gënjejë, të nxisë urrejtje dhe ta ngarkojë vendin me disa nga taksat më të larta në Evropë”, tha Magyar.
Sa pro-BE është në të vërtetë Magyar?
Për BE-në, shqetësimi kryesor është se sa gjatë do ta zgjasë Orbán këtë përplasje. Ukraina ka nevojë urgjente për fondet prej 90 miliardë eurosh që aktualisht janë të bllokuara, ndërsa gjashtë javë pasigurie për shkak të zgjedhjeve në Hungari mund të rrisin tensionet gjeopolitike lidhur me luftën në Ukrainë.
Ndërkohë që një pjesë e madhe e Brukselit shpreson për një fitore të Magyarit, kryesisht për t’i dhënë fund pengesave të Budapestit ndaj Ukrainës, sulmet e Orbánit mbartin një ironi: Magyar nuk është një politikan qartësisht pro-BE dhe aq më pak pro-Ukrainë. Në disa aspekte ai ka zhvilluar një fushatë edhe më nacionaliste. Për shembull, Tisza votoi kundër kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën në Parlamentin Evropian dhe Magyar ka kundërshtuar fort planet për anëtarësimin e përshpejtuar të Kievit në BE.
Në një intervistë në vitin 2024, Magyar tha se Tisza është pro-BE, por foli hapur për mangësitë e unionit. Ai shprehu kundërshtim ndaj një “super-shteti” evropian dhe deklaroi se nuk kishte “miq” në Parlamentin Evropian. Kjo pasoi konferencën e tij të parë për shtyp në Parlament, ku ai kundërshtoi dërgimin e armëve në Ukrainë.
Më herët këtë vit, partia Fidesz e Orbánit u përpoq ta vinte në vështirësi lidhur me marrëveshjen e madhe tregtare BE-Mercosur me Amerikën e Jugut, të cilën e kundërshton me argumentin se dëmton fermerët hungarezë. Në Budapest, Orbán e akuzoi Magyarin se e mbështeste marrëveshjen dhe po minonte interesat e fermerëve, për shkak se Tisza bën pjesë në grupin e Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili e mbështeti paktin tregtar.
Megjithatë, në janar Tisza votoi për ngrirjen e ratifikimit të marrëveshjes BE-Mercosur, duke dalë kundër linjës së PPE-së, një veprim që, sipas një zyrtari të pranishëm, shkaktoi reagime të ashpra ndaj delegacionit hungarez në një mbledhje të mëvonshme të grupit.
Marrëdhënia e ndërlikuar e Magyarit me Brukselin u shfaq edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë muaj. Ai e përdori aktivitetin për të nisur kontakte me figura të rëndësishme evropiane, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe zëvendëskancelarin Lars Klingbeil, si edhe kryeministrin polak Donald Tusk, kryeministrin kroat Andrej Plenković dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.
Mesazhet e tij ishin të kujdesshme. Magyar deklaroi se synon të zhbëjë dëmin që, sipas tij, Orbán i ka shkaktuar normave demokratike dhe gjyqësore, me qëllimin kryesor rikthimin e aksesit të Hungarisë në fondet e BE-së dhe mbrojtjen e “interesave hungareze”. Sa i përket Ukrainës, ai përdori një gjuhë më të rezervuar.
“Prioriteti kryesor i një qeverie të ardhshme Tisza do të jetë sigurimi i fondeve të BE-së që i takojnë Hungarisë. Për ta arritur këtë, ne do të prezantojmë menjëherë masa të rrepta kundër korrupsionit, do të rivendosim pavarësinë e gjyqësorit dhe do të mbrojmë lirinë e medias dhe arsimit të lartë”, shkroi ai në platformën X pas takimit me Merz më 14 shkurt. Ai theksoi gjithashtu se nuk mbështet anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës në BE.
-Figurë e paqartë
Në përgjithësi, Magyar mbetet një figurë e vështirë për t’u përcaktuar për vëzhguesit në BE dhe Ukrainë. Edhe brenda grupit të PPE-së, ku bën pjesë Tisza, mbeten pikëpyetje. Sa i përket Ukrainës, është e qartë se një fitore e Magyarit nuk do të sillte menjëherë një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve me Kievin. Megjithatë, diplomatët e BE-së dhe Ukrainës shpresojnë se ai nuk do të pengojë qëllimisht përpjekjet e unionit, siç ka bërë Orbán./Përshtati “Pamfleti” nga “Politico”
Lini një Përgjigje