
Fondit Monetar Ndërkombëtar ka miratuar një paketë financiare prej 12.6 miliardë dollarësh për Ukrainën, të cilat do të shpërndahen në harkun kohor të katër viteve për të përmbushur nevojat e Ukrainës për t'u mbrojtur kundër pushtimit të Rusisë.
Huaja është më e madhja e Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë vitin e kaluar dhe paketa e parë e madhe e miratuar nga FMN për një vend të përfshirë në një konflikt aktiv. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se ka arritur marrëveshje me Ukrainën për financimin katërvjeçar me qëllim për të mbështetur stabilitetin ekonomik dhe financiar në rrethana të pasigurisë jashtëzakonisht të lartë, të rivendosin qëndrueshmërinë e borxhit .
“Qëllimet kryesore të programit janë të mbështesin stabilitetin ekonomik dhe financiar në rrethana të pasigurisë jashtëzakonisht të lartë, të rivendosin qëndrueshmërinë e borxhit dhe të mbështesin rimëkëmbjen e Ukrainës në rrugën drejt pranimit në BE pas mbarimit të luftës”, tha zyrtari i FMN-së, Gavin Grey, përmes një deklarate për media.
Stafi i FMN-së ka njoftuar anëtarët e bordit për marrëveshjen, që paraqet pakon e kredisë më të madhe për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e këtij shteti më 24 shkurt 2022. Ka ende rreziqe të mëdha, përfshirë edhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
“Një rimëkëmbje graduale ekonomike pritet gjatë tremujorëve të ardhshëm, pasi aktiviteti rimëkëmbet nga dëmet e mëdha në infrastrukturën kritike, megjithëse ka ende rreziqe të mëdha, përfshirë edhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të konfliktit”, tha Grey.
"Programi i Ukrainës i mbështetur nga Fondit të Zgjeruar(EFF) synon të balancojë politika që mbështesin stabilitetin fiskal, stabilitetin e jashtëm, stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar, si dhe të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, duke rritur qeverisjen dhe forcuar institucionet për të promovuar rritjen afatgjatë në kontekstin e rindërtimit të pasluftës dhe rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në një deklaratë të FMN-së.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se aprovimi i Fondit të Zgjeruar (EFF-së) pritet të mobilizojë financime koncesionare në shkallë të gjerë nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të bilancit të pagesave të Ukrainës, për të arritur qëndrueshmërinë e jashtme afatmesme dhe për të rivendosur qëndrueshmërinë e borxhit.