Bota 8 Mars 2023, 08:42

Ndryshimet klimatike do t'i kushtojnë Gjermanisë 900 miliardë euro

Shkruar nga Pamfleti

Ndryshimet klimatike do t'i kushtojnë Gjermanisë 900

Ndryshimet klimatike mund t’i kushtojnë Gjermanisë deri në 900 miliardë euro deri në mes të shekullit, sipas një studimi të bërë publik nga qeveria. Studimi i paraqitur nga Ministria e Mjedisit dhe Ekonomisë nuk u prezantua si një parashikim i mirëfilltë, por ka si qëllim të japë një ide se çfarë mund të ndodhte në rrethana të caktuara.

Në një punim të titulluar “Kostot e ndikimeve të ndryshimeve klimatike në Gjermani”, Instituti për Kërkime Ekonomike Ekologjike (IÖW), Shoqëria për Kërkimin e Strukturave Ekonomike (GWS) dhe Prognos AG trajtuan disa skenarë për periudhën 2022-2050, të cilët ndryshonin në ashpërsinë e tyre në varësi të shkallës së ngrohjes globale.


Në rastin më të mirë të “ndryshimit të dobët klimatik”, kostoja gjatë kësaj periudhe kohore do të arrinte deri në 280 miliardë euro. Megjithatë, kjo shifër mund të shkojë deri në 900 miliardë euro në skenarë më pak të favorshëm.

Sipas modeleve, kostot mesatare vjetore të ngjarjeve ekstreme si nxehtësia dhe përmbytjet në Gjermani do të rriteshin nga 1.5 deri në 5 herë në vit deri në vitin 2050.

Kjo mund të përfaqësojë një ulje të PBB-së prej 0.6%-1.8% në vitin 2050. Masat e përshtatjes si më shumë hapësira të gjelbëra në qytete, mund të zvogëlojnë kostot thjesht ekonomike – të matura si humbje në prodhimin ekonomik – nga 60 deri në 100%.

Sipas autorëve të këtij studimi, vlerat e përcaktuara përfaqësonin kufij më të ulët, pasi është e pamundur të maten të gjitha pasojat e ndryshimeve klimatike në kosto dhe të paraqiten në model. Humbja e cilësisë së jetës, biodiversitetit si dhe vdekjet ishin disa nga këto pasoja.

kostot e ndryshimeve klimatike