Bota23 Maj 2024, 14:17

Norvegjia mbyll kufijtë për turistët rusë, revoltohet Moska: Hap i ri armiqësor dhe diskriminues

Shkruar nga Pamfleti

Norvegjia mbyll kufijtë për turistët rusë, revoltohet Moska:
Norvegjia ka vendosur të mbyllë kufijtë e saj për turistët rusë, duke penguar hyrjen e tyre në vend nga data 29 maj.

"Qeveria norvegjeze po vendos kufizime të mëtejshme për hyrjen në Norvegji për shtetasit rusë që mbërrijnë në vend për qëllime turistike. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 29 maj," thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të qeverisë norvegjeze.

Ndërsa më tej specifikohet se do të ketë përjashtime për individët që vijnë për të takuar të afërmit ose për të studiuar.

"Rregullat vlejnë si për qytetarët rusë të cilëve u është lëshuar një vizë nga Norvegjia para shtrëngimit të rregullave në pranverën e vitit 2022 dhe atyre, vizat e të cilëve janë lëshuar nga vende të tjera të Shengenit.Në disa raste, do të bëhen përjashtime, për shembull për shtetasit rusë që vijnë për të vizituar të afërmit që jetojnë në Norvegji dhe për qytetarët që mbërrijnë në vend për të punuar ose studiuar në Norvegji apo vende të tjera të Shengenit”, saktësohet në shënim.

Nga ana tjetër ka reaguar dhe Moska, ku e ka cilësuar vendimin e Norvegjisë si një akt armiqësor dhe diskriminues.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova deklaroi se Moska do të përgjigjet me masa hakmarrëse.

“Hapi i ri armiqësor i Oslos ndaj qytetarëve rusë është i një natyre haptazi diskriminuese”, tha Zakharova, duke shtuar se vendimi i Oslos ka për qëllim shkatërrimin përfundimtar të çdo lidhjeje midis popujve të Rusisë dhe Norvegjisë.

moska norvegjia