Bota23 Maj 2024, 13:40

Siçilianët po i japin fund kulturës së heshtjes (omerta), duke denoncuar shantazhet e mafias

Shkruar nga Baris Cayli Messina

Siçilianët po i japin fund kulturës së heshtjes (omerta),

Siçilianët po i përkujtojnë publikisht viktimat e mafias. Aktivistët dhe bizneset promovojnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin përpjekjet kundër shantazhit, si për shembull refuzimin për të paguar gjobat ndaj sipërmarrjes, dhe vendosin afishe në ambientet e tyre për të sinjalizuar haptazi se refuzojnë të paguajnë mafiozët.

Dëshmitë e pasojave të rënda të dhunës dhe padrejtësisë për një periudhë të gjatë kohore, mund t’i dëmtojnë shumë komunitetet, duke shkaktuar trauma kolektive. Por atje ku ka presion, do të shfaqet gjithmonë një rezistencë e vendosur për ta sfiduar atë. Një shembull i tillë, është beteja e palëkundur që siçilianët kanë zhvilluar kundër mafies.

Pavarësisht përballjes me forcën e madhe të saj, me metodat e dhunshme dhe aleancat politike okulte, shumë siçilianë kanë refuzuar të heshtin. Të dhënat arkivore tregojnë se që në vitet 1870, ata nisën të sfidonin dhe përballeshin me pushtetin tiranik të mafias.

Por gjatë 30 viteve të fundit, kjo rezistencë është përshkallëzuar. Siçilianët po i përkujtojnë publikisht viktimat e mafias. Aktivistët dhe bizneset promovojnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin përpjekjet kundër shantazhit, si për shembull refuzimin për të paguar gjobat ndaj sipërmarrjes, dhe vendosin afishe në ambientet e tyre për të sinjalizuar haptazi se refuzojnë të paguajnë mafiozët.

Synimi është krijimi i normave të reja shoqërore, duke kundërshtuar aktet frikësuese të mafias dhe kodin e heshtjes (omerta). Këtu përfshihet edhe kultivimi në komunitet i moralit të refuzimit për të paguar gjobën (pizzo), si dhe i të folurit kundër shantazheve të mafias, në vend të pajtueshmërisë me këtë sjellje.

Duke refuzuar pasivitetin tradicional ndaj kërkesave të mafias, këto norma sociale në zhvillim e sipër, i fuqizojnë njerëzit dhe bizneset që të përballen dhe të dëmtojnë pushtetin dhe fuqinë e mafias. Kjo luftë është dinamike, dhe ajo duhet të evoluojë vazhdimisht për të kundërshtuar strategjitë që ndjek krimi i organizuar.

Zhvillimi i normave shoqërore në shoqëritë që kanë pësuar trauma, është një fushë e re studimi. Nëpërmjet kërkimit tim gjatë një dekade në Siçili, jam përpjekur të kuptoj se si padrejtësitë historike, ndikojnë në rezistencën kolektive dhe në fund të fundit, formësojnë normat shoqërore të kërkuara për të pasur sukses.

Për shembull kam vënë re se ritualet joformale, si shënimi i përvjetorëve të vdekjeve të viktimave me përkujtimore apo tubime publike, i ndihmojnë komunitetet të kontekstualizojnë ngjarjet e kaluara duke i riformuluar ato si mësime të vlefshme.

Duke përkujtuar viktimat e mafies dhe duke ndarë historitë e tyre, ata që kanë humbur të dashurit e tyre, tregojnë se si këto akte bëhen edukative, duke i mësuar komunitetit mbi qëndrueshmërinë dhe rezistencën kundër mafies. Grupimet e aktivistëve lokalë, luajnë një rol kryesor në ekspozimin e aleancave korruptive midis mafies dhe figurave politike.

Ata organizojnë shpesh diskutime publike dhe ekspozita, duke detajuar raste specifike kur politikanët kanë bashkëpunuar me mafien. Këto ngjarje shërbejnë jo vetëm për të edukuar, por edhe për të grumbulluar mbështetjen e komunitetit për llogaridhënien ndaj politikës.

Gjatë përkujtimeve të tyre, aktivistët fajësojnë hapur përgjegjësit, duke theksuar shpesh rastet kur shteti nuk arriti të mbrojë qytetarët e tij ose shpërfilli ndikimin e mafias mbi komunitetet lokale. Rituale të tilla, përsëriten vazhdimisht në periudha të gjata, duke përforcuar mesazhin se duhet të thyhet kodi i heshtjes i zbatuar nga mafia.

Antonia, një nga njerëzit që intervistova, tha:”Çdo përkujtimore, është më shumë se sa thjesht kujtim i njerëzve të pafajshëm të vrarë nga mafia. Ajo përfaqëson një qëndresë, e cila shpjegon se ne nuk do të heshtim ndaj padrejtësive, se do të kërkojmë llogari nga shteti, politikanët dhe të gjithë aktorët e tjerë që kanë bashkëpunuar me mafian, pasi besojnë se ky lloj informacioni është një formë tjetër pushteti”.

Ritualet e tjera funksionojnë si një katalizator për veprim në mbarë komunitetin, duke nxitur emocionet e qytetarëve, dhe duke i mobilizuar ata drejt rezistencës kolektive. Qëllimi është të transmetohen normat shoqërore tek brezi i ardhshëm, duke rrënjosur tek ata sjellje që parandalojnë përfshirjen në aktivitetet mafioze.

Për shembull, të rinjtë inkurajohen të angazhohen në sporte të organizuara, të cilat ndihmojnë në dhënien e rëndësisë së rregullave dhe lojës së ndershme, dhe për rrjedhojë në vlerësimin e shtetit të së drejtës. Po ashtu, zhvillojnë një ndjenjë të disiplinës dhe integritetit, të cilat janë thelbësore për t’i rezistuar joshjes së përfshirjes së mafias.

Grupe të tilla organizohen edhe për të ofruar ndihmë juridike falas për njerëzit që zhvaten nga mafia përmes gjobave, në mënyrë që të thyhet norma e kahershme e pagesës për të shmangur telashet. Në intervistën time me Serenellën, pronare e një biznesi në Palermo, ajo theksoi rëndësinë e burimeve në një luftë efektive kundër mafies: ”Solidariteti kolektiv dhe zhvillimi i një identiteti të fortë palermitan, bazuar në vlerat anti-mafia, janë faktorë shumë të rëndësishëm në reduktimin e fuqisë së mafias midis brezave të ardhshëm.

Për të ndryshuar sjelljet e njerëzve, kemi nevojë për më shumë burime shtetërore duke investuar në arsim, infrastrukturë dhe për të siguruar një të ardhme të shëndetshme për të rinjtë. Ne nuk duam të braktisemi sërish nga shteti, siç kanë qenë brezat e mëparshëm”.

Argumenti i Serenellës, ka një rëndësi të madhe në nxitjen e kulturës të ligjshmërisë. Përvoja siçiliane është një kujtesë prekëse e detyrës sfiduese me të cilën përballen komunitetet, kur kanë duruar për shumë vite padrejtësi të gjata në kohë nga organizata të fuqishme kriminale.

Për një kohë të gjatë, politikanët kanë bashkëpunuar me shtypësit në kurriz të qytetarëve të tyre. Pavarësisht 150 viteve rezistencë ndaj mafies, ndryshimi në Siçili ka qenë i ngadaltë. Institucionet e korruptuara shtetërore dhe politikanët, së bashku me braktisjen e qytetarëve siçilianë në fatin e tyre, kanë ofruar një mjedis pjellor, që mafia të bëhet një forcë dominuese në peizazhin social dhe politik të Siçilisë. Por normat sociale po ndryshojnë gradualisht, në një mënyrë të tillë që shumë komunitete shpresojnë se do t’i çlirojnë përfundimisht nga ndikimi i mafies./Marrë nga “The Conversation”, përshtati 'Pamfleti'