
Në mbledhjen vjetore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aleatët e NATO-s dhe partnerët e tyre kanë dënuar ashpër shkeljet e përsëritura ruse, të hapësirës ajrore evropiane, duke paralajmëruar Presidentin Vladimir Putin se veprimet e tij "të pamatura" rrezikojnë një konfrontim të drejtpërdrejtë të armatosur.
Ky reagim vjen pas incidenteve në Estoni, Poloni dhe Rumani, duke nxitur frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës hibride ruse.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, hapi debatin duke prezantuar prova radari dhe foto të avionëve rusë të armatosur, duke akuzuar Mosken se "po gënjen përsëri" si në Gjeorgji (2008), Krimë (2014) dhe Ukrainë (2022).
"Kjo sjellje e rrezikshme nuk mund të tolerohet, vendos një precedent të rrezikshëm për agresion të mëtejshëm", tha ai, duke kërkuar presion kolektiv për të detyruar Rusinë të braktisë ambiciet e saj imperialiste.
Ambasadori amerikan i ri në OKB, Mike Waltz, theksoi se SHBA-të dhe aleatët do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s, duke e quajtur incidentin "shqetësues" dhe duke paralajmëruar se Rusia ose po përshkallëzon qëllimisht konfliktin, ose ka humbur kontrollin mbi forcat e saj. Ai i bëri thirrje Rusisë të negociojë paqe me Ukrainën dhe të ndalojë shkeljet.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e quajti shkeljen estoneze një "provokim të qëllimshëm" që "mund të kishte përfunduar keq. Ajo hodhi poshtë pretendimet ruse për veprime aksidentale.
"Nuk mund të jenë tre gabime brenda dy javësh, Rusia po teston kufijtë tanë dhe do të vazhdojë derisa ta ndalojmë", tha Kallas.
Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, dha një paralajmërim të fortë, duke thënë se ndërhyrje të tilla nuk do të tolerohen më. Ai renditi më tej taktikat ruse hibride, nga vrasje politike dhe sulme kibernetike deri te zjarrvëniet dhe dezinformim.
"Nëse një raketë ose avion tjetër hyn në hapësirën tonë dhe rrëzohet, mos hajdeni të ankoheni. Epoka e perandorive ka mbaruar; çdo sulm ukrainas e afron atë ditë", tha Sikorski.
Gjermania, përmes Ministrit Johann Wadephul, e cilësoi agresionin rus si "rrezik serioz për sigurinë globale", jo vetëm për Ukrainën.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e mbylli fjalën me një mesazh të ashpër drejtuar Putinit: "Veprimet tuaja rrezikojnë konfrontim të armatosur me NATO-n. Aleanca jonë është e pakrahasueshme dhe e vendosur, nëse duhet të përballojmë aeroplanë pa leje në qiellin tonë, do ta bëjmë".
Lini një Përgjigje