
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, konfirmoi se një dron goditi një parking pranë ndërtesës së Konsullatës Amerikane në Dubai, duke shkaktuar zjarr në zonë.
“Ndërsa mbërrita, pashë raportet e mediave për konsullatën e Dubait. Informacioni i fundit që mora sekonda para kamerave ishte se një dron goditi një parking pranë ndërtesës së Chancery dhe shkaktoi zjarr”, deklaroi Rubio.
Ai theksoi se nuk ka raportime për të lënduar mes stafit diplomatik. “I gjithë personeli janë të evidentuar dhe të sigurt. Siç e dini, ne kemi filluar reduktimin e stafit nga objektet tona diplomatike më herët”, shtoi ai.
Rubio akuzoi gjithashtu se përfaqësitë diplomatike amerikane po përballen me kërcënime të drejtpërdrejta.
“Ambasadat dhe objektet tona diplomatike janë nën sulm të drejtpërdrejtë nga një regjim terrorist", u shpreh ai.
Konsullata ndodhet në një zonë të populluar të Dubait, pranë ambasadës britanike dhe konsullatës saudite.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se po organizon fluturime charter nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Jordania për qytetarët amerikanë që dëshirojnë të largohen nga rajoni. Sipas një deklarate zyrtare, në ditët e fundit mbi 9,000 shtetas amerikanë janë kthyer në siguri nga Lindja e Mesme, përfshirë më shumë se 300 nga Izraeli.
Autoritetet amerikane theksuan se fluturimet komerciale vijojnë të jenë të disponueshme në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Oman dhe Egjipt, ndërsa po ofrohet asistencë për rezervimin e biletave.
Më herët, zëdhënësi Dylan Johnson deklaroi se Departamenti i Shtetit po siguron në mënyrë aktive avionë ushtarakë dhe fluturime charter për evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Lindja e Mesme.
Lini një Përgjigje