
Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, Mihail Uljanov, i ka kërkuar Serbisë që të dërgojë një numër të caktuar policësh dhe ushtarësh në territorin e Kosovës.
Me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Twitter”, Uljanov tha se rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ja rezervon Beogradit këtë të drejtë.
“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë dhe Metohi, do të ishte e dobishme të kujtojmë se në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Beogradi rezervon të drejtën për të kthyer një numër të kufizuar të policëve dhe ushtarëve të tij në atë rajon”, tha ai.
In the light of the current situation in %Kosovo it could be useful to keep in mind that in accordance with the 1244 #UNSC resolution Belgrade retains the right to return a limited number of its police and military personnel to this province.
— Mikhail Ulyanov (@Amb_Ulyanov) May 29, 2023
Më herët ka qenë vetë ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, që ka komentuar tensionet duke pretenduar se “një shpërthim i madh mund të ndodhë në zemër të Europës”, teksa ka fajësuar perëndimin për situatën e krijuar.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur Serbia ka aktivizuar nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake dhe ka dislokuar një numër ushtarësh pranë kufirit me Kosovën.
Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se shpresonte për një zgjidhje politike të situatës së tensionuar në komunat veriore të Kosovës, por nuk përjashtoi asnjë pistë, as atë të luftës.