
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg këtë të martë ka deklaruar se është shumë i sigurtë për anëtarësimin e Suedisë në Aleancë.
Gjatë një tryeze të rrumbullakët në Oslo, e cila do të presë një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s të mërkurën dhe të enjten është shprehur se Suedia e meriton që të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Ai shtoi se ka pasur kontakte me Erdoganin, i cili i ka premtuar se do të punojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre.
“Ne do të kemi kontakte të ngushta me Ankaranë, me Presidentin Erdogan , për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit sa më shumë që të jetë e mundur. Ata kanë bërë përparime të mëdha që kur të gjitha vendet anëtare, përfshirë Turqinë, i ftuan ata të bëhen anëtarë të plotë gjatë samitit në Madrid vitin e kaluar.
Unë kam qenë i mendimit që nga vjeshta e kaluar se Suedia duhet të ishte bashkuar tashmë me ratifikimin dhe vazhdoj ta mbaj këtë pikëpamje. Por, kur 31 vende duhet të bien dakord, kjo padyshim kërkon pak më shumë kohë sesa do të doja dhe kjo është ajo me të cilën kemi të bëjmë”, tha ai.
Nëse përfaqësuesi i diplomacisë turke nuk do të jetë i pranishëm në takimin përgatitor joformal të kësaj jave, ai padyshim do të jetë i pranishëm në samitin e Vilniusit më 11 dhe 12 korrik.