TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Prill 2026, 10:27

Shtatë të panjohurat e efektit Trump në “lojën” e perandorive

Shkruar nga Leonardo Tirabassi
Shtatë të panjohurat e efektit Trump në “lojën”
Donald Trump

Nga rreziku i një lufte asimetrike te përplasjet me aleatët e NATO-s,”efekti Trump” po vë në provë supremacinë amerikane. Këto 7 vatra tensioni do të përcaktojnë nëse Uashingtoni do të arrijë të imponojë një rend të ri, apo do të zhytet në kaosin e një bote multipolare.

Le të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të situatës. Që nga 28 shkurti, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po bombardojnë Iranin. Izraeli po sulmon Libanin, ndërton një zonë tampon dhe godet Hezbollahun në të gjithë vendin.

Ngushtica e Hormuzit është e bllokuar, çmimi i naftës vazhdon të rritet dhe ekziston rreziku i një recesioni global, i një krize rajonale gati për t’u përhapur si njollë vaji, teksa Irani po lëshon raketa mbi vendet e Gjirit.

Me pak fjalë, një luftë lokale e gatshme të kthehet në krizë sistemike botërore. Një luftë ushtarake dhe ekonomike. Pastaj vijnë deklaratat e Trumpit për NATO-n: “tigër prej letre”, aleancë e kotë, barrë prej së cilës duhet shpëtuar.

Rrjedhimisht, edhe ky konflikt amerikan është bërë shkas për përplasje të mëtejshme me aleatët atlantikë, shtyllën e perandorisë amerikane. Dhe maksimumi që arrijmë të bëjmë janë diagnozat mbi gjendjen e shëndetit mendor të Trumpit, shqetësimi (ndonëse shumë i madh) për çmimin e naftës, apo diskutimet se në çfarë pike ndodhet e drejta ndërkombëtare!

Të kuptohemi, nuk është se gjendemi para problemeve të vogla. Por kjo nuk mjafton. Nuk mjafton të thuash se nuk janë të qarta objektivat e kësaj lufte; nëse është ndërmarrë për të arritur një ndryshim regjimi, për të parandaluar ndërtimin e armës bërthamore, apo për të asgjësuar sistemin raketor iranian.

Dhe nuk mjafton të kuptosh se cili është raporti mes Netanyahut dhe Trumpit. Sigurisht, është me rëndësi të nënvizohen ndryshimet traumatike që po pëson e drejta ndërkombëtare. Po as kjo nuk mjafton. Sepse ajo që mungon është një lexim i tërësisë së tablosë.

Kjo është qendra e problemit, nyja politike epokale mbi të cilën duhet të përqendrohen analizat politike dhe teorike. Këtu duhet të fokusohet e gjithë vëmendja e strategëve dhe shtetarëve. Jo vajtime dhe pengje për kohën e shkuar apo për rendin e Luftës së Ftohtë (pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe pohimi i vonuar për fundin e NATO-s).

Pika e nisjes, e përsëritur tashmë por mbase jo mjaftueshëm, duhet të jetë kjo: e gjithë bota aktuale jeton dhe funksionon brenda të njëjtit sistem. Bota e prodhimit, e shkencës, e informacionit, e teknologjisë, e komunikimeve materiale dhe jomateriale, e të dhënave, është një e vetme. Nuk ka alternativa.

Në të njëjtën kohë janë shumëfishuar aktorët me peshë ndërkombëtare. Pra edhe pse jo ende de jure, de facto bota është multipolare. Shteteve të Bashkuara u janë shtuar Kina, India dhe fuqi të reja rajonale, nga Turqia te Malajzia, nga Brazili te Koreja e Jugut.

Evropa nuk është më e vetme. Megjithatë bota është unifikuar në mënyrë të çrregullt, me rregulla të paakorduara mes tyre në fusha dhe lojëra të ndryshme. Nëse bota është multipolare, në të njëjtën kohë ekziston ende një superfuqi e vetme, e aftë të përdorë forcën ushtarake dhe ta eksportojë atë në çdo cep të planetit.

Gjithsesi SHBA-të janë ende të vetmet që kanë aftësinë të garantojnë lirinë e lundrimit në dete, që gëzojnë një mbizotërim absolut mbi qiejt apo edhe që zotërojnë ende valutën e referencës për shkëmbimet tregtare.

Deri më sot, asnjë vend tjetër, asnjë fuqi tjetër në rritje, duke nisur nga Kina, nuk është ende në gjendje të vërë në dyshim këtë supremaci totale. Por Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë gjithçka, sepse ekzistojnë dy kufij absolutë, të pakalueshëm.

I pari, bota nuk është unipolare. Synimi për të dominuar i vetëm planetin, për të qenë superfuqia e vetme në një botë të ndërtuar sipas shëmbëlltyrës së tyre dhe të qeverisur sipas parimeve liberal-demokratike, ka qenë një ëndërr e ushqyer nga mendjemadhësia, por në të njëjtën kohë edhe një mashtrim. “Të djerët” as nuk e çojnë ndërmend të duan të bëhen si amerikanët.

Kufiri i dytë: SHBA-ja është një vend në krizë, ku Trump është epifenomeni i një “lufte civile të ftohtë” që zgjat prej dekadash, e cila pasqyrohet jashtë në mënyrë kontradiktore. Dhe kështu rikthehemi tek lufta në Iran.

Si fillim, mesazhi i transmetuar është tmerrues. Kujtojmë se Irani, edhe nëse nuk është aleat i Rusisë dhe Kinës, është një mik dhe fqinj i tyre. Por asnjë vend nuk mund të pretendojë përmbysjen e rendit amerikan, pa u ndeshur herët a vonë me zemërimin e Uashingtonit.

Për Lindjen e Mesme, rendi amerikan përbëhet nga disa pika të patjetërsueshme: aleanca me Izraelin dhe sauditët, siguria e rrugëve detare dhe hapja e ngushticave, kontrolli i burimeve energjetike dhe aleanca me sunitët. Nuk mund të tolerohet asnjë kërcënim ekzistencial ndaj aleatit themelor, Izraelit, dhe aq më pak asnjë tronditje e ekuilibrit rajonal.

Irani përfaqëson sfidën maksimale ndaj këtij “rendi” strategjik. Që nga dëbimi i Shahut, aleatit të hekurt amerikan, Irani (i parë nga Uashingtoni dhe Tel Avivi) është një kërcënim që është forcuar me kohën, madje edhe falë rrëzimit të Sadamit, që kontribuoi në krijimin e asaj “gjysmëhëne shiite”, armike e betuar e dominimit sunit, qoftë ai arab apo osman.

Përgjigjja erdhi me dëbimin e Assadit nga Siria, duke kaluar përmes Hamasit në Gaza dhe tani Hezbollahut në Liban. Megjithatë, rreziqet e aksionit amerikan janë të shumta. Në fakt, mbeten ende për t’u zgjidhur shumë pikëpyetje:

Së pari, armët duhet të heshtin sa më parë. Objektivi i sulmit ushtarak ndaj Iranit bie ndesh me interesin strategjik themelor të rendit botëror amerikan: garantimin e qarkullimit të lirë në det dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Së dyti, kohët e Izraelit nuk përputhen me ato të Trumpit. Për Tel Avivin, kjo është një luftë që ndjehet si e domosdoshme dhe duhet të përfundojë me një fitore të qartë. Ndërsa për SHBA-në nuk është i nevojshëm ndryshimi i regjimit në Teheran apo pushtimi. E rëndësishme është që klasa drejtuese iraniane ta ketë marrë leksionin dhe të mos tentojë më rindërtimin e “perandorisë” sasanide.

Së treti, është lufta asimetrike. Si gjithmonë për SHBA-në, kjo është një luftë asimetrike. Amerika është pala që nuk mund të humbasë, pasi disponon forcë dërrmuese.

Për Uashingtonit kjo nuk është një luftë ekzistenciale. Koha punon kundër amerikanëve. Ndërsa iranianëve, ashtu si Hamasit dhe Hezbollahut, u intereson vetëm “që të mos humbasin”. Duhet kujtuar se vietnamezët humbën mbi 1 milion njerëz kundrejt 55 mijë amerikanëve të vrarë.

Së katërti, raporti me botën sunite. Çfarë do të ndodhë në planin afatgjatë me raportin mes Izraelit dhe vendeve të tjera sunite të zonës, që tani janë në të njëjtën anë, por po shohin rritjen e vazhdueshme të fuqisë së Tel Avivit?

Çfarë ndodh nëse forcohet aksi Pakistan-Turqi-Egjipt-Arabi Saudite? I pari ka armë bërthamore, i dyti ka ushtrinë më të madhe të zonës, ndërsa i katërti mban “kasafortën” e rajonit.

Së pesti, kriza ekonomike. Nëse lufta vazhdon, pasojat ekonomike do të ndikojnë në ekonominë e brendshme amerikane, duke e dëmtuar mbështetjen për Trumpin dhe kohezionin e shoqërisë në SHBA.

Së gjashti, janë frontet e hapura. Trumpi ka hapur njëkohësisht shumë fronte dhe po krijon shumë kundërshtarë, për të mos thënë armiq: Venezuelën, Kinën por edhe aleatët atlantikë për shkak të Grenlandës dhe Ukrainës.

E panjohura e shtatë ka të bëjë me rolin e Kinës. Pekini ka zgjedhur të mbajë një profil të ulët publik përballë këtij konflikti, megjithatë nuk po qëndron duarkryq. Kina ka nevojë për stabilitet dhe do të bëjë gjithçka për ta arritur. Jo rastësisht po ofron ndërmjetësimin e saj në konflikt së bashku me Pakistanin.

Trump ka vizatuar me forcë një perimetër të interesave kombëtare dhe kërcënimeve amerikane. “Kopshti i shtëpisë” së Shteteve të Bashkuara është i madh, por jo aq sa bota. Vetëm koha do të tregojë nëse këto zgjedhje taktike do të çojnë në një projekt të ri, apo nëse thjesht do të përshpejtojnë kaosin aktual dhe zbehjen e rolit amerikan në botë. / Përshtati "Pamfleti" Nga  “Il Sussidiario”

lufta e trump donald trump

2 Komente

  1. T
    Tony

    Nese trimi i kirte nuk ka shoke shume eshte i mbaruar.

    1. O
      Opionisti

      Te behete zgjedhje si ne kohen te lashta pashallare bej sulltan ose aleance zgjedhje zgjedhje asmetrik

      Lini një Përgjigje