Zgjedhjet parlamentare në Hungari, të planifikuara për 12 prill, po zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, të shoqëruar me një sërë skandalesh dhe përplasjesh të forta. Siç shkruan Deutsche Welle (DW), fushata aktuale konsiderohet më negative se në çdo cikël të mëparshëm zgjedhor.
Hungaria ka një traditë të fushatave të ashpra elektorale. Kryeministri Viktor Orban, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, ka ndjekur prej vitesh një strategji të njëjtë: paralajmëron se kombi hungarez përballet me kërcënime ekzistenciale dhe paraqitet si garant i vetëm i stabilitetit dhe sigurisë së vendit.
Fushatë me tone të ashpra dhe akuza për dezinformim
Sipas DW, qeveria dhe partia Fidesz kanë financuar me fonde publike fushata të gjera me postera kundër Ukrainës, kanë organizuar një “peticion kombëtar” kundër Bashkimit Evropian dhe Ukrainës, si dhe kanë shpërndarë në rrjetet sociale video të manipuluara me inteligjencë artificiale që synojnë opozitën.
Këto materiale pretendojnë se, nëse Orban humb zgjedhjet, Hungaria do të përfshihet në luftë, do të përballet me mobilizim ushtarak në frontin ukrainas dhe me pasoja ekonomike si rritje taksash të imponuara nga Brukseli. Analisti politik Gabor Torok e ka cilësuar këtë situatë si një shenjë të “rrënimit të kulturës politike”.
Rreziku i humbjes së pushtetit
Sipas sondazheve të fundit, të cituara nga DW, partia opozitare Tisa e drejtuar nga Peter Magyar kryeson prej muajsh me një diferencë të konsiderueshme. Kjo ka shtuar spekulimet për mundësinë që Orban të humbasë pushtetin për herë të parë që nga viti 2010.
Një pjesë e elektoratit e percepton sistemin aktual si të korruptuar dhe autoritar. Në të njëjtën kohë, qeveria përballet me pasoja politike nga disa skandale të brendshme.
Skandali për abuzimin e të miturve
Një nga rastet më të ndjeshme lidhet me dhunën dhe abuzimin seksual në një institucion për të mitur në Budapest. Institucioni është mbyllur, ndërsa në media kanë qarkulluar pamje që tregojnë dhunë ndaj tyre.
Sipas raportimeve, autoritetet kishin dijeni për kushtet në këtë institucion, por nuk ndërmorën masa. Çështja ka marrë rëndësi të veçantë pasi qeveria e Orbanit e ka vendosur “mbrojtjen e fëmijëve” dhe familjes në qendër të retorikës së saj politike, shpesh me tone kundër komunitetit LGBTQ+.
Disa deklarata nga përfaqësues të qeverisë, të cilat sugjeronin se viktimat mbanin përgjegjësi për shkak të së kaluarës së tyre si shkelës të ligjit, kanë nxitur reagime kritike në shoqëri.
Çështja e fabrikës së baterive në Göd
Një tjetër zhvillim ka të bëjë me fabrikën e baterive të kompanisë Samsung në Göd, në veri të Budapestit. Sipas hetimeve të portalit hungarez Telex.hu, punonjësit janë ekspozuar për vite ndaj grimcave toksike të metaleve të rënda, të cilat kanë ndotur ajrin, tokën dhe ujërat nëntokësore.
Dokumentet e publikuara tregojnë se në disa raste nivelet e ndotjes kanë qenë deri në 500 herë mbi kufijtë e lejuar. Raportimet pretendojnë se autoritetet hungareze, përfshirë shërbimet e inteligjencës, ishin në dijeni të situatës. Sipas këtyre burimeve, ministri i Jashtëm Peter Szijjarto ka penguar mbylljen e uzinës. Gjithashtu, portali investigativ Atlatszo.hu ka raportuar se qeveria ka shqyrtuar mundësi për të kufizuar publikimin e informacionit mbi këtë çështje.
Qeveria e Orbanit e ka mbështetur fuqishëm zhvillimin e industrisë së baterive si shtyllë të politikës ekonomike dhe ka tërhequr investitorë kinezë dhe koreano-jugorë, pavarësisht protestave lokale dhe paralajmërimeve të ekspertëve.
Polemika rreth një videoje private
Fushata është tensionuar edhe nga pretendimet për ekzistencën e një videoje me përmbajtje seksuale që përfshin liderin e opozitës, Peter Magyar. Një fotografi e publikuar në një faqe anonime ka nxitur spekulime për ekzistencën e një regjistrimi të tillë.
Më 12 shkurt, Magyar deklaroi në Facebook se më 3 gusht 2024 kishte pasur një marrëdhënie seksuale me pëlqim me ish-partneren e tij në ambientin e përmendur. Ai pranoi se në banesë ndodheshin substanca narkotike, por theksoi se nuk i kishte konsumuar. Fillimisht, ai akuzoi ish-partneren se kishte vepruar në interes të qeverisë dhe e cilësoi rastin si një “fushatë në stil rus”. Më pas, ish-partnerja deklaroi për mediat hungareze se nuk kishte dijeni për publikimin dhe sugjeroi paraqitjen e një padie të përbashkët nëse materiali do të bëhej publik.
Deri tani, Orban dhe përfaqësuesit e Fidesz nuk kanë komentuar drejtpërdrejt mbi këtë çështje.
Presion në rritje ndaj qeverisë
Analisti politik Daniel Mikecz deklaroi për DW se ritmi i skandaleve po rrit presionin mbi qeverinë. “Para se të zbehet një skandal, shfaqet një tjetër”, tha ai. Sipas tij, Fidesz, që më parë synonte dominim të vazhdueshëm në skenën politike, tani ndodhet në pozicion reagues.
Zhvillimet e fundit tregojnë një garë më të hapur se në ciklet e kaluara zgjedhore. Rezultati i 12 prillit do të përcaktojë nëse Viktor Orban do të vazhdojë të drejtojë Hungarinë apo nëse vendi do të hyjë në një fazë të re politike. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje