Sot bëhet një vit nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. Mëngjesin e 24 shkurtit 2022 ukrainasit u zgjuan të tmerruar nga bombardimet dhe predhat e Rusisë. Gjatë këtyre 365 ditëve të përgjakshme, gjërat kanë ndryshuar shumë, por ukrainasit nuk janë dorëzuar.
Në këtë ditë presidenti rus Vladimir Putin shpalli synimin e tij për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës duke e quajtur “operacioni special ushtarak”. Një objektiv që Kremlini synonte ta arrinte në një kohë të shkurtër dhe që, përkundrazi, u shndërrua në një luftë të gjatë pozicionesh. Dymbëdhjetë muaj që prishën ekuilibrin e gjeopolitikës botërore dhe shkaktuan qindra mijëra vdekje ushtarake dhe civile.
Ukraina mori mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit që në ditët e para të luftë, nën udhëheqjen e presidentit amerikan Joe Biden, i cili në prag të 24 shkurtit shkoi për të vizituar Kievin dhe për të siguruar homologun Zelensky se kjo mbështetje do të vijojë. Pikërisht lideri i Kievit, deri një vit më parë i njohur kryesisht për të kaluarën si aktor është bërë “njeriu i vitit” dhe simbol i rezistencës. Ky konflikt ka hapur edhe një herë një përçarjen e madhe mes Rusisë dhe Perëndimit, duke i bërë jehonë kohëve të Luftës së Ftohtë dhe kërcënimeve për përdorimin e armëve bërthamore, ndërkohë që perspektiva e një tryeze bisedimesh duket ende e largët.
Para agimit të 24 shkurtit 2022, presidenti rus Vladimir Putin njofton se kishte vendosur të niste një “operacion ushtarak” me qëllim “çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës” në përgjigje të një kërkese për ndihmë nga autoritetet e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.
Dy orë më vonë, trupat ruse hynë në territorin ukrainas dhe sulmet ajrore dhe raketore goditën të gjithë vendin, duke përfshirë kryeqytetin Kiev. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u përgjigj duke shpallur ligjin ushtarak dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë për të shpallur më pas mobilizimin e përgjithshëm.
Që në ditën e parë u shënuan 137 viktima për shkak të sulmeve ruse.
Pikat më kulmore të luftës në Ukrainë:
02:30 - Në një fjalim televiziv, presidenti rus Vladimir Putin njofton nisjen e një "operacioni special ushtarak" në Ukrainë.
03:27 - Shpërthimet e para dëgjohen në Kiev, dhe më shumë shpërthime raportohen në të gjithë vendin ndërsa ukrainasit zgjohen nga lufta.
04:58 - Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky konfirmoi raportet për sulme raketore.
11:56 - NATO aktivizon planet e saj të mbrojtjes, të cilat përfshijnë më shumë se 100 avionë në gatishmëri dhe 120 anije aleate në det, nga Arktiku në Mesdhe.
12:03 - Kryeministri i atëhershëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, i drejtohet kombit, duke thënë: "Frikërat tona më të këqija janë realizuar dhe të gjitha paralajmërimet tona kanë rezultuar në mënyrë tragjike të sakta. Presidenti Putin i Rusisë ka nisur luftën ... pa asnjë provokim dhe asnjë justifikim të besueshëm."
18:50 - Raportohet se qyteti port i Mariupolit është vënë nën sulm.
21:40 - Pothuajse 2,000 njerëz janë arrestuar në protestat kundër luftës në 40 qytete në të gjithë Rusinë.
22:59 - Zelensky bën thirrje për mobilizim të përgjithshëm dhe vendos ligjin ushtarak. Ai raporton se 137 ukrainas vdiqën në ditën e parë të sulmit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka dhënë një mesazh përvjetorin e parë të luftës duke thënë me bindje se ky do të jetë viti i fitores.
"Më 24 shkurt, miliona prej nesh bëmë një zgjedhje. Jo flamuri i bardhë, por ai verdheblu. Jo duke ikur, por duke u përballur. Duke rezistuar dhe luftuar. Ka qenë një vit dhimbjeje, trishtimi, besimi dhe bashkimi. E dimë që viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë”, ka shkruar Zelensky, në Tëitter, duke publikuar një video me pamje të konfliktit një vit pas fillimit të tij.

Ushtarë ukrainas vijojnë mbrojnë pozicionet e tyre në frontin lindor të Bakhmut-it, pothuajse një vit pasi Rusia nisi luftën më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.


Perëndimi ka shtuar furnizimin me armatim të Ukrainës, në këtë përvjetor të parë, NATO-ja shpreson se lufta do t’i japë fund “një cikli agresioni rus” që shkon shumë më larg se pushtimi që Moska filloi një vit më parë. Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se pushtimi i Ukrainës është pjesë e një modeli që përfshin veprimet ushtarake në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Donbas e Krime të Ukrainës në vitin 2014.
“Nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta. Por duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet. Ne duhet të thyejmë ciklin e agresionit rus. Ne duhet të parandalojmë Rusinë që të shkatërrojë sigurinë europiane.”, tha shefi i NATO-s.

Stoltenberg tha se aleanca do të sigurohet që Ukraina të ketë aftësitë ushtarake dhe forcën për të penguar agresionin e mëtejshëm.

Ukraina njoftoi dje se ka zmbrapsur avancimet ruse përgjatë vijës së frontit ku po zhvillohen luftime në Ukrainën lindore dhe jugore, duke i lënë luftimet në një fazë ngërçi vetëm një ditë përpara se të mbushet një vit nga fillimi i sulmit të forcave ruse. Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, shumë larg kjo parashikimit për një pushtim masiv, që shumë analistë parashikuan se do të ndodhte një vit më parë kur tanket ruse hynë në pjesën lindore të Ukrainës.
Në luftimet më të fundit, forcat ruse kanë bërë përparim në përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Gjeneral Brigade Oleksiy Gromov tha se Moska po përpiqet të përdorë avantazhin e saj në burime njerëzore për të lodhur forcat e Kievit.
“Me gjithë humbjet domethënëse, armiku nuk po heq dorë nga përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin”, tha ai.
Por, Ukraina thotë se forcat ruse nuk kanë arritur të çajnë përmes vijës mbrojtëse ukrainase në veri, pranë Kreminnas dhe në jug në Vuhledar, ku kanë pësuar humbje të mëdha në një terren të hapur. Gjenerali Gromov tha se forcat ukrainase zmbrapsën 90 sulme ruse në verilindje dhe në lindje gjatë 24 orëve të fundit.
Ukraina thotë se i ka mbyllur disa shkolla për shkak të përvjetorit të parë të luftës të premten, për t’i paraprirë një sulmi me raketa me rreze të gjatë që Moska mund të urdhërojë për të shënuar këtë ditë. Sidoqoftë, zyrtarët ukrainas thonë se ata mendojnë se Moska nuk ka më kapacitetet për një demonstrim dramatik force, siç ishte menduar më parë.
“Asgjë e pazakontë nuk do të ndodhë. Përpjekjet e zakonshme. Planifikohet një sulm i vogël me raketa. Besomëni, e kemi përjetuar këtë mbi 20 herë”, tha kreu i zbulimit të ushtrisë ukrainase Kyrylo Budanov, për faqen e lajmeve në internet Ukrainska Pravda.
Paralajmërimi amerikan
Megjithatë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë i dërgoi një paralajmërim shtetasve amerikanë që gjenden në vend, për rrezikun e sulmeve me raketa në mbarë Ukrainën, përfshirë Kievin dhe rajonin përreth. Paralajmërimi i bën thirrje shtetasve amerikanë “të ndjekin me vëmendje alarmet për sulm ajror, të gjejnë një vendstrehim të përshtatshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore”.
Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin u mburr për arsenalin bërthamor të vendit të tij, dhe njoftoi planet për të dislokuar këtë vit raketat balistike ndërkontinentale Sarmat, që mbartin disa mbushje njëkohësisht. Më herët këtë javë, ai pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e ri START të armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, që ishte traktati i fundit në fuqi i kësaj natyre.
Rusia do të “kushtojë vëmendje gjithnjë e më në rritje për të forcuar triadën bërthamore”, u shpreh Putin në një fjalim të zbardhur nga Kremlini, duke iu referuar “triadës” së raketave bërthamore në tokë, det dhe ajër.

Një ditë pasi Spanja njoftoi se do të dërgonte në Ukrainë tanke të prodhimit gjerman Leopard 2A4, edhe Finlanda njoftoi se do të dërgojë tre tanke të tilla.
Tanket gjermane janë pjesë e një vale tankesh që do t’i dërgohen Ukrainës, pasi u kërkuan nga zyrtarët ukrainas për të ndihmuar në përballjen me forcat ruse.
Gjermania rezistoi fillimisht që të autorizonte transferimin e tankeve, për shkak të shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës, por u ka thënë vendeve aleate që kanë tanke të tilla se mund t’i dërgojnë ato lirisht në Ukrainë.
Ndërkohë Kina ka kërkuar armëpushim dhe fund të luftimeve në Ukrainë duke kërkuar që të mbahen të sigurt centralet bërthamore dhe t’i jepet fund kërcënimeve për sulme bërthamore. Po ashtu, në dokumentin për zgjidhjen e krizës ukrainase, të strukturuar në 12 pika nga Ministria e Jashtme kineze, sugjerohet “të përmbahen sulmet ndaj civilëve dhe strukturave civile”.
Nga lufta e vitit 2014 tek operacioni i Putin që pretendon se rrezikohet e ardhmja e Rusisë
Ukraina dhe Rusia kanë një histori të gjatë dhe të ndërlikuar. Ukraina u bë e pavarur në vitin 1991, pas rënies së Bashkimin Sovjetik, dhe gradualisht u afrua me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin. Për vite me radhë, Putin i mohoi Ukrainës shtetësinë e saj, duke kulmuar me një reagim të gjatë të vitit 2021 duke thënë se rusët dhe ukrainasit ishin “një”.
Ai shpesh akuzoi Ukrainën se po pushtohej nga ekstremistët, që kur presidenti i saj pro-rus, Viktor Janukoviç, u rrëzua në vitin 2014 pas muajsh protestash kundër sundimit të tij. Në atë kohë, Rusia u hakmor duke pushtuar rajonin jugor të Ukrainës të Krimesë. Një kryengritje nga separatistët e mbështetur nga Rusia shkaktoi një luftë që mori rreth 14,000 jetë.
Në vitin 2021, Putin filloi të vendoste një numër të madh trupash ruse afër kufijve të Ukrainës. Për muaj të tërë Putini e kishte mohuar se do të pushtonte fqinjin e tij. Duke shpallur pushtimin më 24 shkurt 2022, ai akuzoi NATO-n se po kërcënonte "të ardhmen historike të Rusisë si komb".
SHBA kishte paralajmëruar partnerët e saj evropianë se manovrat ushtarake në kufijtë e Rusisë ishin në përputhje me përgatitjet për një sulm ndaj Ukrainës, por, deri në këtë ditë të vitit të kaluar, pakkush besonte se Rusia mund të fillonte me të vërtetë pushtimin që bëri. Megjithatë, ndoshta po aq pak menduan se Ukraina do të ishte në gjendje të rezistonte për kaq kohë.
Lini një Përgjigje