
Një tjetër ngjarje tragjike është regjistruar në Mesdhe, ku rreth 80 migrantë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke në zonën e kërkim-shpëtimit pranë brigjeve të Libisë.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, në bord ndodheshin rreth 110 persona, ndërsa vetëm 32 prej tyre arritën të shpëtohen. Deri më tani janë nxjerrë nga deti vetëm dy trupa.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentet dramatike, ku të mbijetuarit qëndrojnë të kapur pas varkës së përmbysur, duke pritur ndihmë. Mjeti lundrues, një varkë druri rreth 12-15 metra e gjatë, ishte nisur nga Tripoli dhe u përmbys në det të hapur, duke lënë për orë të tëra dhjetëra persona në ujë.
Operacioni i shpëtimit u zhvillua nga Roja Bregdetare italiane, me ndihmën e disa anijeve tregtare që ndodheshin në zonë, të cilat ndërhynë duke hedhur mjete shpëtimi dhe duke nxjerrë të mbijetuarit.
Alarmi për varkën në rrezik u dha fillimisht nga një avion i një organizate joqeveritare, i cili konstatoi mjetin e përmbysur dhe persona në ujë apo të kapur pas tij.
Të mbijetuarit dhe trupat e pajetë u transportuan më pas në një anije të rojës bregdetare dhe u dërguan në tokë.
Në bord ndodheshin shtetas nga Pakistani, Bangladeshi dhe Egjipti. Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare kanë reaguar për ngjarjen. Save the Children shprehu shqetësimin për tragjedinë, duke theksuar kontrastin me simbolikën e festës së Pashkëve.
“Në një ditë që për shumë njerëz simbolizon ringjalljen dhe shpresën, ne po qajmë jetë të reja të humbura në brigjet e Libisë. Edhe një herë, Mesdheu është kthyer në një kufi vdekjeje”, thuhet në reagim.
Organizata thekson se ende nuk ka një shifër të saktë për të zhdukurit dhe mbetet e paqartë nëse mes tyre ka fëmijë.
Sipas të dhënave të saj, që nga viti 2014, rreth 34.500 persona kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur në Mesdhe, ndërsa vetëm gjatë këtij viti numri i viktimave ka kaluar 800, përfshirë edhe shumë fëmijë.
Lini një Përgjigje