Aktivitetet e fshehta ruse po rrisin rrezikun e përshkallëzimit dhe kërkojnë një strategji të re parandaluese...
Ose Evropa do të vazhdojë të lejojë që lufta në hije e Rusisë të përcaktojë kufijtë e përshkallëzimit, ose do të veprojë tani për të parandaluar një luftë më të madhe.
Evropa nuk është më thjesht dëshmitare e agresionit rus. Ajo është një nga objektivat kryesore të tij. Ndërsa Ukraina mbetet fronti më i dukshëm i përballjes së Rusisë me Perëndimin, ndërkohë që janë kryesisht ukrainasit që vuajnë dhe humbasin jetën nën bombardime masive, ajo nuk është më e vetmja fushëbetejë.
Në të gjithë Evropën, aktorë të lidhur me Rusinë kanë sabotuar infrastrukturë kritike, kanë ndërprerë sistemet e aviacionit dhe energjisë, kanë depërtuar në rrjete digjitale, kanë survejuar objekte ushtarake dhe kanë shënjestruar kundërshtarë politikë dhe zyrtarë të mbrojtjes, një realitet i njohur prej kohësh për disa shtete të vijës së parë. Këto veprime rrallë pranohen nga autorët, shpesh atribuohen në mënyrë të paqartë nga viktimat dhe pothuajse asnjëherë nuk përballen me kundërpërgjigje vendimtare. Të marra veçmas, secili sulm mund të duket i menaxhueshëm. Të marra së bashku, ato përbëjnë diçka më shqetësuese: një fushatë të vazhdueshme të luftës në hije, e projektuar për të dobësuar sigurinë evropiane duke qëndruar nën pragun që do të shkaktonte një reagim ushtarak.
Gjatë vitit të kaluar, Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) ka zhvilluar një studim të gjerë mbi aktorët dhe taktikat e përfshira në këtë luftë në hije, bazat e saj strategjike dhe strukturat drejtuese, si dhe mënyrat dhe modelet e reagimit evropian. Që nga viti 2022, këto aktivitete janë sinkronizuar më ngushtë me qëllimet e përgjithshme të luftës së Moskës në Ukrainë. Në thelb, ky studim argumenton se lufta në hije e Rusisë nuk është një mjet i përkohshëm apo një seri përshtatjesh oportuniste “hibride”. Ajo përbën një sistem konflikti të rrënjosur në ideologji, të integruar në institucione dhe të prirur drejt përshkallëzimit. Rreziku që paraqet nuk qëndron në dëmin e kufizuar që shkakton sot, por në dëmin potencialisht të pakufizuar që mund të shkaktojë nesër, ndërsa rritet rreziku i përshkallëzimit të paqëllimshëm. Për këtë arsye, parandalimi është i domosdoshëm si për të mbrojtur Evropën nga sulmet aktuale, ashtu edhe për të shmangur skenarë katastrofikë në të ardhmen.
Lufta në hije si sistem, jo si taktikë
Në thelb të luftës në hije të Rusisë qëndron një botëkuptim që nuk njeh kufij të qartë mes luftës dhe paqes, apo mes kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme. Në sytë e Kremlinit, lufta në Ukrainë, operacionet e fshehta në Evropë dhe shtypja e kundërshtarëve brenda dhe jashtë vendit nuk janë përpjekje të ndara. Ato janë fronte të ndërthurura në një përballje të vetme ekzistenciale, me synim përfundimtar mbijetesën e regjimit. Ky këndvështrim ka rrënjë të thella në konceptet sovjetike, veçanërisht të periudhës së Stalinit, ku konflikti nuk shihej si përjashtim, por si parimi organizues i politikës.
Brenda këtij kuadri, lufta në hije nuk është zëvendësim për forcën konvencionale dhe as thjesht një mënyrë për të shmangur përshkallëzimin. Ajo është një nga mjetet e përdorshme të shtetit rus, krahas diplomacisë, operacioneve informative, sulmeve kibernetike dhe luftës tradicionale. Ajo që e bën këtë formë agresioni tërheqëse dhe të rrezikshme është fakti se nuk ka tregues të qartë suksesi apo dështimi. Për autorët rusë, ndërprerja është sukses, ekspozimi mund të interpretohet si provë e rëndësisë, ndërsa edhe dështimi mund të justifikojë investime të mëtejshme dhe rritje të rrezikut.
Modelet e luftës në hije
Të dhënat empirike në Evropë tregojnë se kjo strategji shtrihet në disa fusha dhe efektet e saj janë të ndërlidhura.
Një front i rëndësishëm është infiltrimi dhe përdorimi i ndërmjetësve. Rusia përdor rrjete kriminale dhe individë të rekrutuar për të kryer zjarrvënie, survejim dhe sabotim. Kjo ul rrezikun operacional dhe e bën më të vështirë përcaktimin e përgjegjësisë.
Një tjetër front është sabotimi i infrastrukturës kritike, veçanërisht kabllove nënujore dhe lidhjeve energjetike. Ndërhyrja në këto sisteme mund të ndikojë në komunikime, tregje energjie dhe komandim ushtarak pa përdorur forcë të drejtpërdrejtë.
Operacionet kibernetike përbëjnë një front të tretë. Ato nuk kufizohen më vetëm në ndërprerje të përkohshme, por përfshijnë spiunazh, sabotim dhe presion psikologjik, duke synuar sisteme thelbësore si rrjetet energjetike dhe transporti.
Pse ka dështuar parandalimi
Sipas CEPA, dështimi i Evropës për të frenuar këtë fenomen nuk lidhet me mungesë informacioni, por me mënyrën e reagimit institucional.
Shpesh, këto veprime trajtohen si raste kriminale të veçuara, jo si pjesë e një fushate të koordinuar shtetërore. Reagimet janë të ngadalta dhe të fragmentuara, ndërsa frika nga përshkallëzimi ka çuar në hezitim për të vendosur pasoja të qarta. Gjithashtu, kërkesa për prova të plota ligjore e vështirëson reagimin e shpejtë strategjik.
Drejt një parandalimi efektiv
Raporti thekson se parandalimi kërkon ndryshim të qasjes. Ai duhet të fokusohet jo vetëm në ndëshkim, por në kufizimin e aftësisë së Rusisë për të vepruar.
Evropa duhet të vendosë pragje të qarta reagimi, të sigurojë lidhje të drejtpërdrejtë mes veprimit dhe pasojës, dhe të pranojë se një nivel i menaxhuar përshkallëzimi është i pashmangshëm për të shmangur kriza më të mëdha në të ardhmen.
Në praktikë, kjo nënkupton koordinim më të fortë mes aleatëve, rol më të madh për ushtrinë dhe shërbimet inteligjente, si dhe krijimin e një liste të përhershme masash ndëshkuese që mund të zbatohen shpejt.
Lufta në hije e Rusisë nuk është një fenomen i përkohshëm, por një element i qëndrueshëm i strategjisë së saj. Për sa kohë mbetet efektive dhe me kosto të ulët, ajo do të vazhdojë dhe ka gjasa të intensifikohet.
Sfida për Evropën nuk është vetëm ta ekspozojë këtë fenomen, por të vendosë kufij të qartë dhe të qëndrueshëm. Pyetja kryesore mbetet: a do të vazhdojë Evropa të lejojë që këto veprime të përcaktojnë kufijtë e përshkallëzimit, apo do të ndërhyjë për të parandaluar një konflikt më të madh? /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje