
Të paktën 44 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu apartamente banimi në lagjen Tai Po të Hong Kongut. Ndërkohë më shumë se 270 persona konsiderohen të zhdukur.
Tre drejtues të kompanive të ndërtimit janë arrestuar me dyshimin për vrasje të paqëllimshme të lidhur me materiale të ndezshme, duke përfshirë rrjetë dhe fletë plastike, të cilat mund të kenë lejuar që zjarri të përhapet me shpejtësi.
Rreth 22.7 kg fishekzjarrë të ruajtur në ambientet e ndërtesës kishin shkaktuar përhapjen e shpejtë të flakëve në katet e sipërme, raportoi South China Morning Post (SCMP).
Pas 18 orësh, zyrtarët thanë se zjarri ishte nën kontroll, ndërsa flakët u konsideruan të nivelit 5, niveli më serioz në Hong Kong.
Një ekspert i sigurisë nga zjarri beson se sasia e madhe e skelave prej bambuje që lidhin blloqet e apartamenteve shkaktoi zjarrin e mbrëmshëm.

Flaka arriti të përhapet me shpejtësi, duke shkaktuar një numër të madh vdekjesh dhe lëndimesh, tha profesori Jiang Liming nga Universiteti Politeknik i Hong Kongut.
Skelat prej bambuje janë një pamje ikonike në të gjithë Hong Kongun dhe përdoren gjerësisht në ndërtim.
Më herët këtë vit, autoritetet njoftuan plane për të hequr gradualisht përdorimin e bambusë në favor të çelikut më të fortë dhe rezistent ndaj zjarrit.
Prof Jiang vuri në dukje gjithashtu se blloqet në Wang Fuk Court ishin "relativisht të vjetra", u ndërtuan në vitet 1980, kështu që "dritaret prej xhami nuk janë aq rezistente ndaj zjarrit".
Në nëntor të vitit 1996 , një zjarr në ndërtesën Garley në Kowloon vrau 41 persona dhe plagosi 81 të tjerë.
Zjarri më vdekjeprurës i regjistruar ndonjëherë ndodhi në vitin 1948 pas një shpërthimi në katin përdhes të një depoje pesëkatëshe që përmbante "mallra të rrezikshme", sipas SCMP. Ai vrau 176 persona .
Lini një Përgjigje