Bota 5 Dhjetor 2023, 22:10

Tronditi Maqedoninë me krimin makabër, arrestohet në Turqi vrasësi i 14-vjeçares

Shkruar nga Pamfleti
Tronditi Maqedoninë me krimin makabër, arrestohet në Turqi
Ljupço Palevski

Autori kryesor i krimit është ndalur në një aeroport të Turqisë pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.

Arrestohet personi kryesor i krimit makabër në Maqedoninë e Veriut, ku u rrëmbye dhe ekzekutua një 14-vjeçare. Personi që dyshohet se shkrepi armën arriti të arratisej, por liria e tij ka zgjatur shumë pak.

Ljupço Palevski – Pallço është arrestuar në Turqi. Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi.

Ministri i Brendshëm maqedonas Oliver Spasovski, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, konfirmoi arrestimine tij. Ai tha se tani i takon drejtësisë të bëjë ekstradimin e tij.  Spasovski tregoi edhe rrugën që ndoqi Palçovskit, i cili fillimisht ka qëndruar në Serbi, më pas në Bullgari dhe së fundi ku edhe u arrestua në Turqi.

Personi nga Shkupi me përcjellje të avokatit të tij me veturën Skoda Super B është dërguar në Serbi, atje është vendosur në një hotel, nga atje, ditën tjetër e ka marrë një person tjetër nga Shkupi me një veturë furiostradë, më pas kanë hyrë në Bullgari dhe nëpërmjet territorit të Bullgarisë ka hyrë në Turqi në qytetin Balikesir. Shërbimet tona bien në kontakt direkt jo vetëm me policinë por edhe më një burim të tyre i cili për një kohë të shkurtër ka njoftuar se personi gjendet në Balikesir dhe se planifikon që të niset për në Stamboll dhe se bëhet gati që me taksi të shkojë për në Stamboll dhe sot pasdite nga ana e kolegëve të policisë turke është arrestuar derisa ka ecur në këmbë në një nga autostradat në Balikesir”, tha Spasovski.

Po sot është arrestuar edhe një 46-vjeçar nga Shkupi, i cili sipas prokurorisë e ka transportuar Palevskin përmes Bullgarisë për në Turqi, duke e ndihmuar kështu të arratiset nga vendi.

Kujtojmë se bashkë me adoleshenten është gjetur i vrarë dhe një 74-vjeçar, të cilët nuk kanë pasur njohje me njëri-tjetrin, ndërsa në ngjarje është përdorur automjeti i këtij të fundit, të cilit më pas i është vendosur flaka.

14 vjeçarja u raportua e zhdukur më 27 nëntor dhe u shpall në kërkim nga Interpol.

Vanja është rrëmbyer pasi ka dalë nga banesa. Ka qenë i ati që ka dhënë informacion për ditën dhe orën që 14-vjeçarja do dilte nga shtëpia. Sot i ati doli para gjykatës ku u la në burg bashkë me të arrestuarit e tjerë. Ndërkohë me ndalimin e Lupço Palevski mund të thuhet se autoritetet maqedonas e kanë arritur të zbardhin dhe ndalojnë në kohë autorët e krimit makabër.