Bota 8 Mars 2023, 11:13

U kujdes për familjen 25 vjet, burri detyrohet t’i paguajë gruas 204 mijë euro për punët e shtëpisë

Shkruar nga Pamfleti

U kujdes për familjen 25 vjet, burri detyrohet t’i paguajë gruas

Një gjykatë spanjolle në Malaga ka urdhëruar një burrë që t'i paguajë ish-partneres së tij 204,000 euro për punën në shtëpi dhe kujdesin familjar të kryer gjatë 25 viteve martesë.

Kur gruaja u martua, në vitin 1995, ajo i është përkushtuar vetëm punëve të shtëpisë. Në vitin 2003 në jetë erdhi vajza e tyre e parë ndërsa në vitin 2009, vajza e dytë. Gjykata ka zbuluar se gruaja humbi çdo mundësi për të bërë karrierë, pasi vendosi t'i përkushtohej vetëm shtëpisë dhe familjes pa ndihmën e askujt. Gjatë gjithë viteve të martesës, burri grumbulloi dhe rriti pasurinë e tij në mënyrë të dukshme.

Ai hapi disa palestra në provincat e Jaén dhe Málaga, si dhe kompanitë e instalimit të parketit dhe shumë aktivitete të tjera. Falë punës së tij, ai mundi të blejë një fermë ulliri prej 70 hektarësh në Alhama de Granada, ku prodhohet vaj dhe e cila, sipas vendimit, gjeneron të ardhura mujore "nga 3,000 deri në 4,000 euro".

Në vitin 2020, gruaja bëri kërkesë për divorc, por ish-bashkëshorti i saj i mbajti të gjitha pasuritë, ndërsa ajo kishte vetëm gjysmën e një shtëpie. Me padi, gruaja ka kërkuar njohje për punën e bërë në shtëpi gjatë 25 viteve martesë.

Pas seancave të vazhdueshme gjyqësore, u mor vendimi se burri duhet të paguajë një pension kompensues prej 500 euro në muaj për dy vitet e ardhshme si dhe pensione me vlerë nga 400 dhe 600 euro për dy vajzat e tij, 14 dhe 20 vjeç.

shtepiake demshperblim