Bota28 Gusht 2023, 18:46

Vdekja e Prigozhin, mediat ruse "gjejnë" shkakun: Bomba mund të jetë vendosur te kondicioneri i avionit

Shkruar nga Pamfleti

Vdekja e Prigozhin, mediat ruse "gjejnë" shkakun: Bomba mund

Evgeny Prigozhin dhe togerët e tij kanë vdekur zyrtarisht, konfirmoi dje Moska. Por ka shumë mister mbi arsyet e aksidentit.

Gazeta “Moskovsky Komsomolets” vazhdon të publikojë thashetheme për atë që ndodhi në javët para katastrofës. Detajet që duket se vizatojnë një komplot apo vërtetojnë një tezë që hetuesit, nëse është e nevojshme, do ta shndërrojnë në të vërtetë.

Gazeta i kthehet një shkrimi të mëhershëm se avioni kishte probleme me ajrin e kondicionuar dhe shërbimi i mirëmbajtjes i montoi një pajisje të re, të marrë jashtë. Sipas gazetës, nuk është çudi që bomba të jetë vendosur pikërisht aty.

Gazeta ndalet edhe te zakonet e liderit Wagner. “Kuzhinieri” ndryshonte papritur planet. Sipas saj, ai nuk mori kurrë të njëjtën rrugë që ishte deklaruar. Sipas gazetës, udhëtimi nga kryeqyteti për në Shën Petersburg ishte planifikuar për datën 20, më pas u shty për në datën 23 . Pastaj orari ndryshoi bashkë me listën e pasagjerëve: në fillim tre, pastaj shtatë. Por këto janë situata normale për një “komandant lufte” që përdor një avion privat dhe është i angazhuar në negociata me rivalët.

Me sa duket më pak normale ishte vendimi për t'u treguar avionin dy blerësve të mundshëm . Takimi ishte caktuar për datën 19, por e kishin zhvendosur në datën 23 për të lejuar riparimin e kondicionerit. Blerësit, Alexandra Yulina dhe Sergey Klokotov, drejtues të kompanisë RusJet, dërguan kopje të pasaportave të tyre, një procedurë e nevojshme për të pasur akses në avion, kështu që ata mundën ta shihnin avionin ndërsa qëndronin në bord nga ora 9.30 deri në 10.30. I pranishëm ishte edhe piloti Rustam Karimov. Askush nuk vuri re – sipas shkrimit gazetaresk – veprime të dyshimta, ndërkohë që nuk doli asgjë alarmante.

Nga ana tjetër, nuk ka detaje se çfarë ndodhi më pas dhe se kush, nëse kishte, kishte akses në aeroplan përpara nisjes. Rreth orës 17.40, njëmbëdhjetë minuta vonesë, avioni u nis nga Moska për të takuar fatin e tij.

Pritjet e “Moskovsky Komsomolets” mund të interpretohen si përgatitje e terrenit për një njoftim të ardhshëm nga Kremlini për përgjegjësit e shpërthimit. Pas njohjes së trupave me ADN, duhet konkluzioni gjyqësor me emra e fytyra autorësh.

Historia e gjatë e terrorizmit "ajror" flet për teori kontradiktore, ndonjëherë përfundime të pasigurta, raste të pazgjidhura, dyshime të pafundme, shumë truke për të futur një bombë. Një laptop, bombola, shishe, sende të zakonshme, një kuti cigaresh, një radio, madje edhe një paketë dhuratë mund të fshehin eksplozivin që mund të hapë një vrimë në trup, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme. /Corriere Della Sera