
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka marrë në mbrojte sërish ‘eprorin’ e tij Vladimir Putin. Sipas Vuçiç urdhër-arresti për Putin do të ketë pasoja negative në përpjekjet për paqe në konfliktin e armatosur në Ukrainë.
“Mendoj se urdhër-arresti për Putinin do të ketë pasoja negative politike dhe tregon se ekziston një mungesë e madhe vullneti për të folur për paqe dhe armëpushim”, tha Vuçiç në një konferencë shtypi në Beograd.
Ditën e premte Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar një urdhër arresti kundër Vladimir Putin të cilin e akuzon për krime lufte dhe për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Putin ende nuk ka komentuar publikisht mbi urdhër-arrestin. Zëdhënësi i Kremlinit e ka quajtur atë "të pavlefshme" dhe tha se Rusia i konsideron vetë çështjet e ngritura nga ICC si "të egër dhe të papranueshme".
Putin është presidenti i tretë që i është lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Ka shumë pak gjasa që të ketë një arrestim, pasi gjykata nuk ka kompetenca për të arrestuar të dyshuar pa bashkëpunimin e qeverisë së një vendi. Rusia nuk është një vend anëtar i Gjykata Ndërkombëtare Penale, që do të thotë se gjykata, e vendosur në Hagë, nuk ka autoritet atje.
Megjithatë, ky urdhër mund të ndikojë Putin në mënyra të tjera, siç është pamundësia për të udhëtuar ndërkombëtarisht. Ai tani mund të arrestohet nëse shkel në ndonjë nga 123 shtetet anëtare të gjykatës.