
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka ngritur alarmin për zhvendosjen e call center-ave mashtrues nga Shqipëria drejt Kosovës, pasi goditjeve të autoriteteve shqiptare kundër këtyre strukturave.
I ftuar në Euronews Albania, Karamuço deklaroi se një pjesë e kompanive që funksiononin sipas modelit italian të mashtrimeve telefonike janë larguar nga Shqipëria dhe po riorganizohen në Kosovë.
“Çfarë ndodhi me ato call center-at e famshme, që ishin model italian? Kanë ikur në Kosovë. Ne i mbyllëm, por po i merr Kosova. Sepse ajo farë kriminale do të mbijë prapë. Problemi është te paratë. Disa prej tyre kanë sinjale shumë të forta”, deklaroi Karamuço.
Sipas ekspertit të kriminalistikës, grupet që qëndronin pas këtyre skemave mashtruese nuk janë zhdukur, por thjesht kanë ndryshuar territor për të vijuar aktivitetin e tyre.
Ai la të kuptohet se rrjetet kriminale që menaxhonin call center-at mashtrues vazhdojnë të kenë fuqi financiare dhe lidhje të forta, duke gjetur mënyra për t’u rikthyer në treg edhe pas operacioneve policore.
Call center-at mashtrues kanë qenë prej vitesh në fokus të autoriteteve shqiptare dhe të huaja, pasi akuzohen për mashtrime financiare ndaj qytetarëve europianë përmes investimeve false, bursave online dhe skemave të tjera të paligjshme.
Në vitet e fundit, SPAK dhe policia shqiptare kanë zhvilluar disa operacione të mëdha kundër këtyre rrjeteve, duke arrestuar dhjetëra persona dhe sekuestruar miliona euro. Megjithatë, deklaratat e Karamuços sugjerojnë se fenomeni nuk është zhdukur, por po zhvendoset në vende të tjera të rajonit.
Lini një Përgjigje