TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Maj 2026, 15:37

Ashpërsohen masat për parandalimin e zjarreve, Skënder Hita: Kush i shkakton përfundon para drejtësisë!

Shkruar nga Pamfleti
Ashpërsohen masat për parandalimin e zjarreve, Skënder Hita: Kush
Skënder Hita

Sezoni veror ka vënë në alarm autoritetet për rrezikun e zjarreve, ndërsa Policia e Shtetit paralajmëron ndëshkime për këdo që shkakton vatra zjarri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se personat që shkaktojnë zjarre, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe do të përballen me drejtësinë.

“Tashmë fillon sezoni i verës dhe rreziku për rënie të zjarreve është shumë më i madh. Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese. Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’iu dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve, për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor. Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se me nisjen e sezonit veror rreziku për zjarre shtohet ndjeshëm, ndaj bashkëpunimi mes Policisë, shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor mbetet vendimtar për reagimin e shpejtë dhe minimizimin e pasojave.

Sipas tij, çdo minutë e fituar në ndërhyrje mund të shmangë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

“Në përfundim dua të shpreh vlerësim për çdo efektiv zjarrfikës që shpesh në kushte të vështira dhe përballë rrezikut real, vijon të kryejë detyrën me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë, bashkërisht me punonjësit e Policisë së Shtetit. Ky është misioni ynë fisnik, t’iu shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar dhe jetët tona” përfundoi Hita.

ashpërsohen masat skënder hita zjarret

Lini një Përgjigje