Dy vajza të mitura, 9 dhe 11 vjeç, humbën jetën mesditën e sotme në plazhin e Tales në Lezhë, teksa kishin hyrë në det për t’u larë.
Sipas një njoftimi paraprak nga policia, vajzat e mitura, të identifikuara si Jonida Dajlani (9 vjeç) dhe Adelajda Misha (11 vjeç) nuk arritën të dalin në breg në momentin që nisën dallgët, ndërsa trupat e pajetë të dy vajzave të mitura u gjetën disa metra larg vendit ku kishin hyrë për tu larë.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, përmes një reagimi në rrjetet sociale, teksa shpreh ngushëllime për familjet e viktimave, ka ngritur shqetësimin ‘për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet publike të pamenaxhuara’.
Ndreu thekson se siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.
“Shpreh dhimbjen time të thellë për humbjen tragjike të jetës së dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Kjo është një ngjarje e rëndë, përballë së cilës fjalët janë të pamjaftueshme. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre.
Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia. Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment.
Plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, zona të identifikuara qartë për pushuesit dhe infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e tyre.
Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë”, shkruan Ndreu.
Lini një Përgjigje