Ndeshja mes Portugalisë dhe Kroacisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës pritet të jetë e mbushur me emocione, pasi përkon me përvjetorin e parë të ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit Diogo Zhota.
Takimi do të luhet mbrëmjen e 2 korrikut në Toronto, por në Portugali ora do të ketë kaluar mesnatën, duke shënuar 3 korrikun – datën kur një vit më parë Zhota humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.
Kombëtarja portugeze e ka mbajtur të gjallë kujtimin e ish-sulmuesit të Liverpulit gjatë gjithë rrugëtimit në Botëror. Trajneri Roberto Martinez e ka cilësuar Zhotën si një "anëtar nderi" të skuadrës, ndërsa mesfushori Ruben Neves ka veshur fanellën me numrin 21, që i përkiste mikut të tij të ngushtë.
Para ndeshjes së parë të Portugalisë në këtë Botëror u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të Zhotës, ku prindërit e tij, Isabel dhe Hoakim Silva, morën pjesë mes emocionesh të forta.
Mbrojtësi Vitinja tha se skuadra ka një motivim të veçantë për këtë përballje.
“Kemi shumë arsye për ta fituar këtë ndeshje, por kjo datë e bën gjithçka edhe më të veçantë. Luajmë për familjet tona, për Diogo Zhotën, për të gjithë vendin dhe për gjithë Portugalinë”, u shpreh ai.
Humbja e Zhotës ka prekur jo vetëm futbollin portugez, por edhe komunitetin ndërkombëtar të futbollit. Kapiteni i Skocisë, Endi Robertson, një nga miqtë më të afërt të Zhotës gjatë kohës te Liverpuli, ka treguar se mendimi i tij i parë pas kualifikimit në Kupën e Botës shkoi pikërisht tek ish-shoku i skuadrës. Ndërkohë, bashkëshortja e Zhotës, Rute Cardoso, i dërgoi një mesazh falënderues Robertsonit në fillim të turneut, për mbështetjen dhe për mënyrën se si vazhdon të nderojë kujtimin e futbollistit.
Gjatë karrierës me kombëtaren portugeze, Diogo Zhota zhvilloi 49 ndeshje dhe realizoi 14 gola, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm të brezit të tij.
Lini një Përgjigje