TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2026, 18:04

Gjermanët tjetër "shuplakë" Ramës: Zemërimi qytetar jo ndaj Kushnerit, por kundër keqqeverisjes!

Shkruar nga Pamfleti
Gjermanët tjetër "shuplakë" Ramës: Zemërimi
Rama dhe protesta

Revista prestigjioze gjermane e përshkruan lëvizjen si revoltë kundër korrupsionit, oligarkisë dhe mënyrës së qeverisjes, duke theksuar se protestat kanë tejkaluar tashmë kundërshtimin ndaj projektit të Jared Kushner.

Gjermanët i kanë dhënë një tjetër goditje të fortë Edi Ramës.

Pas raportimeve se Berlini nuk e mbështet Samitin e NATO në Tiranë, revista prestigjioze gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një reportazh të gjatë zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke u ndalur te protestat masive që prej më shumë se një muaji zhvillohen në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Në analizën e saj, revista gjermane thekson se megjithëse protesta u nxit fillimisht nga kundërshtimi ndaj projektit të resortit luksoz që dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, planifikon të ndërtojë në zonën e Zvërnecit, ajo është shndërruar tashmë në një revoltë shumë më të gjerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Artikulli hapet me një nga skenat që, sipas revistës, karakterizon protestat në Tiranë. Dy protestues mbajnë një pankartë gjigante me mbishkrimin "EDI RAMA FUCK YOU", ndërsa qindra qytetarë e përsërisin të njëjtin slogan në ritmin e këngës "We Will Rock You" të grupit Queen, teksa marshojnë në rrugët e kryeqytetit.

Sipas Der Spiegel, protestat kanë hyrë tashmë në muajin e dytë dhe kanë mbetur kryesisht paqësore, me përjashtim të disa incidenteve dhe arrestimeve pranë Parlamentit. Revista shkruan se zemërimi i qytetarëve nuk drejtohet më vetëm kundër projektit të Kushnerit, por kryesisht ndaj qeverisë dhe mënyrës se si është administruar vendi gjatë viteve të fundit.

Reportazhi kujton se pika e kthesës erdhi pasi një video ku shfaqej një aktivist mjedisor duke u tërhequr me forcë nga punonjësit e sigurisë në plazhin e Zvërnecit u bë virale në rrjetet sociale. Pas publikimit të saj, protestat lokale u shndërruan në demonstrata masive në Tiranë, ku, sipas revistës, në disa raste kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë.

Der Spiegel vëren se simboli i protestës është bërë flamingoja, shpendi karakteristik i Lagunës së Nartës, silueta e së cilës tashmë shfaqet në pankarta, mure dhe instalacione të ndryshme gjatë demonstratave.

Në reportazh theksohet se zemërimi i protestuesve nuk drejtohet kryesisht ndaj Jared Kushner apo administratës amerikane, por ndaj kryeministrit Edi Rama. Revista citon sloganet që dëgjohen gjatë marshimeve, ku protestuesit kërkojnë burg për Edi Ramën dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke treguar se pakënaqësia shtrihet ndaj një pjese të gjerë të klasës politike shqiptare.

Sipas revistës gjermane, shumë prej protestuesve e akuzojnë qeverinë se ka krijuar një sistem të dominuar nga korrupsioni, klientelizmi dhe oligarkët. Në artikull përmendet edhe fakti se SPAK ka hetuar ose po heton një sërë figurash të rëndësishme politike, përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe pushtetit vendor, ndërsa të gjithë ata kanë mohuar akuzat.

Në reportazh zë vend edhe historia e Marko Peçit, një bankieri nga Tirana, i cili shprehet se nuk e njeh më qytetin ku jeton për shkak të bumit të ndërtimeve. Ai i thotë revistës se një pjesë e kullave janë ndërtuar me para të pista dhe se arsyeja kryesore pse qytetarët kanë dalë në rrugë nuk është vetëm projekti i Kushnerit, por korrupsioni që, sipas tij, ka shoqëruar zhvillimin e vendit.

Revista interviston edhe studenten 20-vjeçare Megi Ibrahimi, e cila deklaron se protesta nuk ka si synim vetëm largimin e Edi Ramës, por kundërshtimin e çdo politikani që, sipas saj, kërkon të sillet si "mbret". Ajo shprehet se Shqipëria është trajtuar si një vend ku përfitojnë oligarkët vendas dhe të huaj, ndërsa qytetarët mbeten jashtë.

Një tjetër element që veçon Der Spiegel është përbërja e larmishme e protestës. Sipas revistës, në marshime marrin pjesë të rinj, pensionistë, aktivistë mjedisorë, diaspora shqiptare, si edhe mbështetës të forcave të ndryshme politike, çka e bën këtë lëvizje të ndryshme nga protestat tradicionale të organizuara nga partitë.

Në fund të reportazhit, revista citon gazetarin shqiptar Lutfi Dervishi, i cili e përshkruan energjinë e protestave si më të fortën që Shqipëria ka përjetuar që prej vitit 1991. Sipas tij, ndryshimet kanë nisur të ndihen, por sfida më e madhe për kryeministrin Rama do të ishte nëse pakënaqësitë do të shtriheshin edhe brenda Partisë Socialiste.

Reportazhi i Der Spiegel vjen vetëm pak ditë pasi Radio Evropa e Lirë dhe Reuters publikuan raportime, duke cituar burime, sipas të cilave në NATO po diskutohet mundësia e rishikimit të vendit ku do të mbahet samiti i ardhshëm i Aleancës.

Brenda një kohe të shkurtër, tre media të rëndësishme ndërkombëtare kanë fokusuar vëmendjen te zhvillimet politike në Shqipëri, duke sjellë në qendër të raportimeve protestat qytetare, akuzat për korrupsion dhe klimën e tensionuar politike në vend. /Pamfleti

 

rama protesta

2 Komente

  1. M
    MV

    Shqiptaret nuk kerkojne anullimin e Tiranes per samitin e NATO-s, kerkojne anullimin e Rames si km i Shiperise.

    1. T
      Tony

      Shqiptaret duan largimin e Rames e mos ardhjen e Kushner, Trump e co. Shqiperine do e bejme vete ta shijojme vete e jo arabistanet, cifutistanet e pidofilet e botes.

      Lini një Përgjigje